12:00 / E Premte, 31 Maj 2019 / indeksADMonline

Policia sqaron aksidentin e plakut, “të gjakosur afër sopatës”, në Gjilan

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth publikimit të një fotografie ku shihej një i moshuar i shtrirë dhe i gjakosur në qytetin e Gjilanit.

Zëdhënësi i PK-së, Ismet Hashani ka shpjeguar se rasti ishte aksidental dhe se s’ka të bëjë asgjë me ndonjë sulm me sopat, ndonëse në pamje shihej mjeti i punës afër tij.

“Po, një rast aksidental ku një person i moshës rreth 84 vjeçar është rrezuar aksidentalisht dhe është lënduar. I njëjti është dërguar ne spitalin rajonal te Gjilanit, fillimisht”, ka deklaruar ai.

Hashani shpjegoi se organet e sigurisë ishin në vendin e ngjarjes dhe nga dëshmitë e siguruara u konkludua se ishte vet-aksident.

“Sipas informacioneve dhe fakteve në terren dhe familja shihej se behet fjale për lëndim aksidental që i moshuari kishte pësuar pasi është rrezuar”, është shprehur ai. /Indeksonline/