13:46 / E Enjte, 13 Qershor 2024 / L K

𝐊𝐎𝐒𝐓𝐓-i 𝐩𝐫𝐢𝐭𝐢 𝐧ë 𝐭𝐚𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐫𝐚𝐝𝐡ë𝐬 𝐩ë𝐫𝐟𝐚𝐪ë𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐞 𝐆𝐫𝐮𝐩𝐢𝐭 𝐑a𝐣𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐭ë 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩ë𝐬 𝐊𝐨𝐧𝐭𝐢𝐧𝐞𝐧𝐭𝐚𝐥𝐞, 𝐭𝐫𝐮𝐩 𝐢 𝐄𝐍𝐓𝐒𝐎-E

Afër përfundimit të afatit dy vjeçar, të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E të votuar në vitin 2022, për të cilën na duhet vazhdim i përkrahjes së Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës Kontinentale, nënshkruese të marrëveshjes aktuale dhe miqve tanë ndërkombëtar, përfaqësues të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, z. Laurent Rosseel dhe z. Albino Marques, po qëndrojnë në Kosovë për tu takuar me udhëheqës të sektorit të energjisë dhe më gjerë, me ç’rast u organizua edhe tryezë pune, ku u diskutua për rolin dhe sfidat e KOSTT, si dhe hapat e ardhshme që duhet ndërmarr deri në nënshkrim të Marrëveshjes së re për Kyçje.

Në pritje të tyre Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri, duke i falënderuar për rolin këshillues dhe miqësinë e deritanishme, fillimisht i njoftoi z. Rosseel dhe z. Marques, për funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, që nga 1 janar 2024, kur furnizuesi Elektrosever Sh.P.K, kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës filloi të nominojë energjinë për katër komunat e veriut dhe me këtë ka marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri.

Gjatë këtyre takimeve u diskutuan tema të ndryshme me rëndësi, si ndikimi i zbatimit të masave të propozuara nga Task Forca brenda kuadrit të ri të Marrëveshjes së Kyçjes, mbështetjen e vazhdueshme për bashkëpunimin rajonal me Operatorët e Sistemit të Transmetimit, masat e ndërmarra për të minimizuar devijimet e paqëllimshme, si dhe operimi i suksesshëm i ALPEX në Zonën e Ofertave të Kosovës, me ç’rast u vu theks i veçantë në mbështetje të KOSTT nga të gjitha palët e përfshira të sektorit të energjisë në Kosovë🇽🇰.

Synimi jonë është anëtarësimi me të drejta të plota në ENTSO-E, si një hap strategjik i rëndësishëm për të forcuar sistemin tonë energjetik, duke u integruar në tregun evropian dhe përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji të Republikës së Kosovës.
Më 14 dhjetor 2020, Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës (KOSTT) u bë zyrtarisht një zonë e pavarur rregulluese, duke u shkëputur nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe duke operuar brenda Bllokut Shqipëri-Kosovë në zonën sinkrone të Evropës Kontinentale të ENTSO-E, ngjarje shënon një arritje historike për Kosovën dhe një përparim të madh për KOSTT dhe sektorin elektroenergjetik të vendit.