1.5 miliardë euro të hyra nga Dogana e Kosovës në fillim të nëntorit
Dogana e Kosovës ka njoftuar se fillimi i muajit nëntor ka shënuar një rritje “historike” të të hyrave. Dogana njoftoi se janë mbledhur mbi 1.5 miliardë euro të hyra.
Sipas doganës, kjo shifër e jashtëzakonshme përfaqëson një rritej të dukshme prej 10.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Njoftimi i plotë:
Fillimi i muajit nëntor shënoi një arritje historike për Doganën e Kosovës, pasi janë mbledhur mbi 1.5 miliardë euro të hyra. Kjo shifër e jashtëzakonshme përfaqëson një rritje të dukshme prej 10.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2023, të hyrat e mbledhura ishin 1.36 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë mbledhur 146.1 milionë euro më shumë. Ky trend pozitiv, që ka nisur të shfaqet vitin e kaluar, ka vazhduar të përforcohet në vitin 2024, duke konfirmuar përkushtimin e Doganës për të maksimizuar të hyrat.
Përmirësimi i Procedurave Doganore: Implementimi i teknologjive të avancuara dhe procedurave të thjeshtuara ka kontribuar ndjeshëm në efikasitetin e procesit.
Lufta Kundër Kontrabandës: Masa të intensifikuara në bashkëpunim me institucionet tjera kanë ndihmuar në uljen e aktiviteteve ilegale dhe rritjen e të hyrave.
Rritja e Transparencës: Fushatat për të edukuar publikun dhe bizneset mbi përputhshmërinë ligjore kanë rritur ndërgjegjësimin dhe përputhshmërinë, duke sjellë përfitime për të gjithë.
Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar për të vazhduar kontrollet rigoroze dhe të vazhdueshme, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e vendit. Institucioni inkurajon qytetarët të raportojnë çdo akt të dyshimtë ose joetik përmes numrit pa pagesë 0800 50095, për të ruajtur integritetin dhe transparencën e shërbimeve.