75 Mall Live Search
14:02 / E Enjte, 21 Tetor 2021 / C E

1 miliardshi i Barcelonës: Nder i madh të luaj për Barçën, asnjë nuk do të jetë si Messi

Ansu Fati do të vazhdojë të jetë lojtar i Barcelonës deri në vitin 2027, i cili zgjodhi të rinovojë kontratën me katalanasit duke iu qëndruar besnik blaugranave.

Ansu preferoi të refuzojë disa oferta kundrejt tij për të vazhduar të luajë në “Camp Nou”, me një klauzolë largimi prej 1 miliard euro.

Pas nënshkrimit të kontratës 18-vjeçari është shprehur për “Barça Tv” se është një nder i madh të luajë për Barcelonën, dhe falënderon klubin që i ofroi rinovimin e kontratës.

Është një nder i madh, me vijnë në mendje shumë kujtime. E gjithë kjo është një ëndërr për mua dhe familjen time, është një emocion i madh të vazhdoj historinë time me Barcelonën, diçka që gjithmonë e kam dashur. I jam shumë mirënjohës klubit dhe skuadrës për mbështetjen që më kanë dhënë dhe shpresoj ti shpërblej në të njëjtën mënyrë. Që ditën e parë që shkela në ‘Camp Nou’, kuptova se doja që të qëndroja këtu për shumë vite”, deklaroi Fati.

18-vjeçari spanjoll nuk ka nguruar të flasë edhe për Messin, ku pas largimit të argjentinasit është Fati që ka trashëguar numrin 10 tek katalanasit. Me dëshirën për të bërë po aq mirë sa paraardhësi i numrit të tij, sipas Ansu asnjë nuk do të jetë si “Pleshti”.

Kam shumë rrugë për të bërë në këtë klub, në aspektin personal. Duhet të jesh gjithmonë me këmbët në tokë. Numri 10? Peshon shumë dhe me vlerësojnë për këtë, por në kokën time e kam të qartë se çfarë do të bëj. Nuk e ndiej presionin, jam i qetë, asnjë nuk do të jetë si Messi, unë duhet të ndjek rrugën time”, përfundoi Ansu Fati.