1 milion euro investim për ndërtimin e parkut industrial të gjelbër në Mitrovicë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, kanë nënshkruar aneks-marrëveshjen për ndërtimin e parkut Industrial të gjelbër në Frashër të Vogël këtij qyteti.
Ministrja Kusari-Lila, gjatë vizitës në Mitrovicë theksoi se qyteti ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme të zhvillimit industrial dhe inovacionit në vend.
Në fokus ishte zhvillimi i Parkut Industrial të Mitrovicës në Frashër të Vogël, një pilot-projekt për një Eco-Industrial Park me potencial të madh për industrinë përpunuese dhe investimet e reja.
Ministrja tha se ky park do të ndërtohet sipas standardeve moderne mjedisore dhe me sektorë industrialë të specializuar, në përputhje me kërkesat e tregut evropian.
Projekti i parkut planifikohet të përfundojë brenda një viti, ndërsa Komuna e Mitrovicës dhe Ministria do të krijojnë një bord të përbashkët për përzgjedhjen e industrive përpunuese që do të vendosen në Parkun Industrial të Frashërit të Vogël.
Gjatë takimit u diskutua edhe impianti i trajtimit të ujërave të zeza, projekt i rëndësishëm që pritet të nisë së shpejti me mbështetje nga IBRD, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Po ashtu një tjetër temë e takimit në mes ministres dhe kryetarit ishte zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmes krijimit të një qendre inovacioni për të rinjtë dhe forcimit të arsimit dual, në mënyrë që bizneset të kenë më shumë profesionistë të përgatitur për tregun e punës.
Ministrja tha se do të intensifikojnë inspektimin dhe digjitalizimin e raportimit të shkeljeve, përmes bashkëpunimit të Inspektoratit Qendror me rajonin e Mitrovicës.

