1 milion euro të fshehura në rezervuar, tre persona në pranga si u zbuluan në kufi?
Dogana e Kosovës ka sekuestruar dje 1 milion euro në pikëkalimin kufitar në Merdar, pasi mjetet monetare u zbuluan të fshehura brenda rezervuarit të karburantit të një veture.
Sipas informacioneve nga Dogana e Kosovës paratë ishin të paketuara në mënyrë të organizuar dhe të kamufluara me qëllim shmangien e kontrolleve doganore. Zbulimi është bërë gjatë skanimit të automjetit, kur pajisjet përkatëse kanë evidentuar parregullsi, çka ka çuar më pas në një kontroll të detajuar fizik.
Gjatë operacionit të përbashkët të zyrtarëve të Doganës dhe Policisë së Kosovës në pikëkalimin kufitar, janë arrestuar tre persona: Ardit Laska, zyrtar i Policisë së Shtetit në Shqipëri, si edhe Ahmet Kaziu dhe Etnik Ahmaxhokaj.
Të dyshuarit janë ndaluar , ndërsa rasti po trajtohet nën dyshimin për veprat penale “mosdeklarim i mjeteve monetare” dhe “shpëlarje parash”.
Sipas doganes, vetura ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut. Fillimisht ajo është kontrolluar me skaner X-Ray, ku janë vërejtur dyshime për një hapësirë të modifikuar në dysheme. Më pas, me asistimin e Policisë Kufitare dhe përdorimin e pajisjeve fibroskopike, është konfirmuar ekzistenca e një vendi të improvizuar ku ishin fshehur paratë.
Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar, përfshirë skanerët X-Ray, është thelbësor në luftimin e kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme financiare.
Shuma e sekuestruar, sipas vlerësimeve paraprake, arrin në rreth 1,000,000 euro.

