20:00 / E Premte, 03 Maj 2024 / MSH

1 muaj paraburgim për të dyshuarit në përleshjen në Lupq të Podujevës

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  ka vendosur  lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve  S.H, F.H, A.H, F.M dhe B.M për shkak të dyshimit se kanë  kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë dhe secili veç e veç kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Gjyqtari i procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin, paraburgimi është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.M, pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit. 

Me datë 01.05.2024 rreth orës 15:30 në rrugën e fshatit Lupq i Poshtëm në Podujevë, të dyshuarit janë takuar në afërsi të pompes së derivateve Exfis, i kishin ndalur veturat në rrugë dhe kishin filluar të përleshen, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme. Të dy palët kishin përdorë armë, thikë dhe mjete të forta, ku nga të shtënat me armë dhe nga përdorimi i thikës janë plagosur të pandehurit F.M dhe B.M.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.