18:19 / E Diele, 03 Korrik 2022 / AR

1 vit në krye të PDK-së, Krasniqi: Kemi punuar shumë

Një vit më parë, Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi thotë se ishte nderi më i madh i jetës së tij që mori besimin e delegatëve të Konventës së Dhjetë për të udhëhequr PDK-në, raporton Indeksonline.

Ai tregon që gjatë këtij viti kanë punuar shumë me secilin anëtar e aktivist.

“Misioni im si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë”, shkruan Krasniqi.

Postimi i plotë:

Më 3 korrik të vitit 2021, saktësisht 1 vit më parë, mora besimin e delegatëve të Konventës së Dhjetë për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës.

Si një anëtar e aktivist i hershëm i partisë, pa dyshim që ky ishte nderi më i madh i jetës dhe, natyrisht, përgjegjësia më e lartë.

Gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kemi punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijmë përsëri vizionin tonë – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë.

E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skënderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik.

Në Kuvendin e Kosovës, si lidere e opozitës, PDK ishte zëri i arsyes, përmes angazhimit parlamentar aktiv, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete, në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual.

Si një platformë e ofrimit të alternativës qeverisëse, inicuam Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Ekspertë të fushave të ndryshme po i bashkohen kësaj platforme tonë për një Kosovë më të mirë, me qeverisje kompetente e efikase.

Kemi hapur dyert për më shumë gra, të rinj dhe profesionistë, të cilët angazhimin e tyre në të mirë të shoqërisë dhe vendit e shohin përmes politikës. Sot, jam shumë krenar të them se janë me qindra prej tyre që na janë bashkuar gjatë kësaj periudhe, e shumë të tjerë do të na bashkohen në vazhdimin e këtij rrugëtimi të përbashkët.

Puna dhe angazhimi ynë do të vazhdojë në çdo nivel të organizimit tonë strukturor, në Kuvend, në Komuna e në Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

Misioni im si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë.

Faleminderit të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së për mbështetjen e parezervë deri sot.