09:22 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

1 vit nga tërmeti në Thumanë që mori jetën e 51 personave

Mëngjesin e hershëm të 26 nëntorit të 2019-ës një tërmet prej 6,4 ballësh goditi fshatin Thumanë në Durrës. Tërmet ky që për pak sekonda shënoi një prej ngjarjeve më të rënda që Shqipëria përjetoi nga fatkeqësitë natyrore.

Nga ky tërmet i fuqishëm humbën jetë 51 persona, u lënduan 913 të tjerë e po ashtu u prekën edhe plot 202 mijë persona në disa bashki. Gjithçka u rrënua. Thumana u kthye në një vend “fantazmë”.

Ndërtesa shumëkatëshe, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie ishin pamjet që mund t’i kapte syri nga kjo tragjedi. Tenda të shumta u vendosën përreth që të paktën të moshuar e fëmijë të strehoheshin aty.

Nën rrënojat e pallateve njerëzit luftonin mes jetës e vdekjes, ndërkohë të tjerëve u duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet.

Solidariteti i vëllezërve, fqinjëve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.

Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës.

Gjurmët e natës së 26 nëntorit të vitit të kaluar janë në kujtesën e kujtdo, që sot pas një viti kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një mesazh për shqiptarët që kaluan një tmerr të vërtetë një vit më parë, ku orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit u goditën nga tërmeti që la pas 51 viktima dhe mijëra banesa të shkatërruara.

“I paharruar kujtimi i viktimave të tragjedisë së një viti më parë Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh Si një familje” kështu ka zgjedhur kryeministri Rama që të përkujtojë viktimat e tërmetit.

Sot një vit nga tërmeti 6.4 ballë që goditi vendin dhe shkaktoi 51 viktima, Rama deklaron se Shqipëria pati aq shumë miq në atë moment të zymtën ku u arrit që në Bruksel të mblidheshin mbi një miliard për ndihmë në Shqipëri.

Kryeministri ka deklaruar se për të kanë qenë ditët dhe netët më të çmendura të jetës së tij.