75 Mall Live Search
19:06 / E Premte, 16 Janar 2026 / MSH1

1 vit nga zhdukja e veteranit të UÇK-së, familja po pret në ankth

Nga 23 janari i vitit të kaluar, veterani i UÇK-së, Zylfi Tejeci nga Prizreni, është i zhdukur.

Tejeci u pa për herë të fundit më 23 janar, teksa rastin në polici e lajmëruan me shqetësim djemtë e Tejecit, 3 ditë pas zhdukjes së tij.

Në një deklarim për IndeksOnline, djali i Zylfiut, Isufi, u shpreh se janë në ankth tash e një vit, pasi nuk kanë asnjë gjurmë të babait të tij.

“Që një vit jemi tu e lypë e s’jemi ndalë hiç! Me datën 26 ne e kemi raportu rastin në polici, e ata i kanë nis hetimet. Për herë të fundit baba është pa më të 23-tin. Prej atëherë s’kemi pasë kontakt më me të. Atë ditë që është zhdukë, unë kam bisedu me të në telefon. Unë s’kam qenë në Kosovë, isha jashtë shtetit, dhe e telefonova. Atë ditë ai ka qenë në një tubim politik në Prizren, se ka qenë kohë fushate atë kohë. Unë fola me të në telefon e më tha: “Qetash edhe pak shkoj në shpi”. Nuk më tha as “po shkoj këtu” as “po shkoj aty”.

Prej asaj nate që kam fol me të më nuk kemi asnjë kontakt me të. Nga ai tubim, baba i ka hypë kerrit edhe kerkush s’e din kah ka shku. As s’e dimë a është as a s’është, nuk kemi asnjë njohuri. As nuk e dimë qysh është e as çka ka bë. Baba ka qenë me kerr, e kerri pas dy javësh u gjet në Pejë. Personi që ishte në veturën e babës është arrestu” deklaroi Isufi.

Ai tha se asnjëherë nuk kanë parë diçka të dyshimtë në sjelljen e të atit, hiç se hiç në ditët para se të zhdukej.

Te baba nuk kemi hetu asgjë të dyshimtë. Nuk ka pasë asnjë sjellje të dyshimtë e asnjë telash. Katër ditë para se me u zhdukë, baba ka qenë në Mal të Zi tek unë. Ka nejtë një natë. Kemi folë, kemi qeshë, kemi bisedu… Nuk kam vërejt asnjë gjë të dyshimtë tek ai!” shtoi djali i Zylfiut.

Isuf Tejeci thotë se gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, por që nuk kanë marrë ndonjë informatë rreth vendndodhjes së të atit.

“Prej shtetit nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Nga policia na thonë vetëm se hetimet po vazhdojnë. Nuk dimë kurrgjë. Nga koha kur është zhdukur ne kemi qenë në komunikim vetëm me Policinë e Kosovës. Këta po thonë që kanë komuniku edhe me shtetet tjera por nuk kanë pasë naj informacion që ka dalë nga shteti.”

Një vit pritje për familjen Tejeci ka qenë e shoqëruar me shqetësim dhe ankth, sidomos pasi nuk e dinë nëse Zylfiu është gjallë apo jo.

Po e shohim çka po ndodhë. Çdo dit lloj-lloj rasti po ndodhë në Kosovë. S’po e dimë as a është gjallë as i vdekur. Për ne, kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë. E kemi përjetu shumë keq. Baba kurrë nuk e ka pasë keq me kërkon, kurrë nuk ka pasë asnjë problem as asnjë vërejtje. Me njeri të gjallë s’ka qenë keq. Kërkujt s’i ka pasë as borxh as mosmarrëveshje. Kjo po na bën me mendu se përse ka ndodhë kjo gjë. Nuk e di…” deklaroi me dëshpërim Isufi.

Nga ana tjetër, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren deklarojnë për IndeksOnline se dosja e Tejecit është proceduar edhe në Departamentin e Krimeve të Rënda, në Prokurorinë e Prizrenit.

Në këtë fazë të hetimit për rastin e zhdukjes se Zylfi Tejecit, mund të konfirmohet vetëm se vetura është gjetur. Detaje tjera aktualisht nuk mund të jepen, marrë parasysh se rasti është nën hetime. Dosja e rastit i është proceduar Prokurorisë Themelore në Prizren/Departamenti për Krime të Rënda, që aktualisht janë duke udhëhequr hetimin, në bashkëpunim me policinë” deklaron DRP-ja e Prizrenit.

Nga kjo drejtori shtojnë se kërkimet për Zylfiun nuk janë ndëprerë asnjëherë, teksa çdo gjë që lidhet me rastin e tij, trajtohet me shumë seriozitet.

“Kërkimet për personin e zhdukur nuk janë ndërprerë për asnjë moment.

Nga data e paraqitjes se rastit, policia po i ndjekë të gjitha pistat e mundshme dhe çdo informatë, provë apo dëshmi, trajtohet më shumë seriozitet” përfundoi DRP Prizren./IndeksOnline/