75 Mall Live Search
17:54 / E Diele, 20 Shkurt 2022 / AR

10 të zhdukur në anijen e djegur në ngushticën e Korfuzit/ Ekipet e shpëtimit gjejnë një trup të karbonizuar

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur këtë të diele një trup të karbonizuar brenda një kabine kamioni në hambarin e anijes “Euro Ferry Olimpia”, e cila u përfshi nga flakët dy ditë më parë në ngushticën e Korfuzit.

Ende nuk dihet se kujt prej 11 të zhdukurve, shtatë bullgarëve, tre grekëve dhe një turku i përket trupi i gjetur.

Mësohet se ekipet e shpëtimit mundën të hynin para pak minutash në hambarin numër tre të anijes, ku edhe gjetën trupin e karbonizuar.

Ende nuk dihet fati i 10 të tjerëve, ndërsa shpresohet që të gjenden gjallë. Rreth orëve të para të mëngjesit të kësaj të diele një shofer kamioni nga Bjellorusia u gjet i gjallë në fundin e anijes.

Shoferi vetëm 21 vjeç i zbriti vetë shkallët për të dalë nga trageti dhe fjalë e tij të para ishin “ më thoni që jam gjallë”. Ai u dërgua në spital për ekzaminime por mjekët thanë se nuk ka asnjë problem me shëndetin.

Në anijen e linjës Greqi-Itali po udhëtonin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa anija u përfshi nga flakët në ngushticën mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit.

Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.

Kur ra zjarri, anija ishte në ujërat greke, por rrymat detare e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare.

Trageti është pjesë e flotës së grupit Grimaldi Lines dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.

Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojës bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza.

E derisa dy ministritë e jashtme të Greqisë dhe Italisë të gjejnë një zgjidhje diplomatike, ka qenë ministri grek i marinës tregtare Janis Plaqiotaqis i cili ka urdhëruar që anija të ankorohet në një vend të sigurt, t’i hiqen karburantet dhe të përfundojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur. Autoritetet greke thanë se “Euro Ferry Olimpia” do të ankorohet në Kasiopi.

Kujtojmë se një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2014, ku 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.