11:54 / E Martë, 02 Korrik 2019

10 vendet larg vapës, edhe një në Zvicër

Nëse ëndërroni të shkoni diku, ku të kaloni disa ditë larg të nxehtit të padurueshëm, më poshtë janë dhjetë vende që falë pozicionit gjeografik dhe një klime të favorshme ju garantojnë të përjetoni disa ditë vere të freskëta.

ÉTRETAT – NORMANDI

Një herë e një kohë një fshat i vogël peshkatarësh, sot është një nga vendet më të njohura bregdetare në Kanalin Anglez (English Channel). Është i njohur për bukurinë e plazheve me guralecë dhe shkëmbinjtë natyrorë gëlqerorë. Temperatura maksimale në verë arrin 21 gradë Celsius, ndërsa herët në mëngjes nuk i kalon 16 gradë Celsius. Ditët tuaja do të jenë të gjata pasi këtu dielli perëndon pas orës 22:00.

MAJA HELBRONNER – MALI I BARDHË – LUGINA AOSTA

Jemi vetëm një hap larg qiellit, në lartësinë 3462 metra mbi nivelin e detit, në një nga majat më të larta të masivit të Malit të Bardhë. Në këtë lartësi është e sigurt që do të gjeni freski (madje edhe të ftohtin) edhe në ditët me diell. Këtu mund të shkoni falë teleferikut Skyëay Monte Bianco, i përuruar në vitin 2015, i cili ngjitet duke u rrotulluar 360 gradë, duke iu dhuruar një panoramë mbresëlënëse, transmeton Monitor.

ISHUJT AZORE – PORTUGALI

Ata janë një arkipelag me origjinë vullkanike, në Oqeanin Atlantik, rreth 1360 km në perëndim të Portugalisë Kontinentale, që përbëhet nga nëntë ishuj kryesorë. Klima ndikohet prej rrymës së Gjirit. Këtu temperaturat maksimale variojnë mes 16-25 gradë, përcjell albinfo.ch.

LIQENI BLED – MALET JULIANS – SLLOVENI

Një liqen përrallash i rrethuar nga pyje që ju dhurojnë freski edhe në ditët më të nxehta, edhe pse zakonisht temperatura nuk i kalon 25-27 gradë Celsius. Në qendër ndodhet një ishull, ku mes ndërtesave të tjera ndodhet edhe Kisha e Shën Marisë, e shekullit XV, brenda së cilës ndodhet “kambana e dëshirave”.

LIQENI OESCHINENSEE – ZVICËR

Liqeni Oeschinensee i cili ndodhet në lartësinë 1570 metra mbi nivelin e detit rrethohet nga maja mbi 3 mijë metra të larta. Ky liqen është një parajsë e vërtetë për ata që pëlqejnë ekskursionet. Rrethohet nga pyje dhe ujërat e tij (temperatura në verë arrin në 20 gradë Celsius) ofrojnë mundësinë për udhëtime të bukura me varkë. Ai ndodhet në hyrje të zonës që është Pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

ZELL AM SEE – SALSBURG – AUSTRI

Një liqen i mrekullueshëm, i cili ndodhet në 757 metra mbi nivelin e detit në qytetin me të njëjtin emër. Në dimër, kjo zonë shndërrohet në një kompleks për ski dhe sporte në borë. Në verë, është një vend me klimë të freskët, me natyrë përrallore ku mund të gjeni qetësinë.

WILD ATLANTIC WAY – IRLANDË

Është një ndër rrugët më të njohura bregdetare në Europë. Rruga ndjek bregun perëndimor të Irlandës, përshkon Old Head të Kinsale dhe Haven Coast, ndjekur nga ishujt e bukur të Irlandës së Jugut, dhe vazhdon më pas në veri përmes shkëmbinjve dhe Bay Coast. E gjithë kjo mes plazheve të mrekullueshme, dallgëve spektakolare dhe peizazheve që të lënë pa frymë. I nxehti? Nuk ndihet fare.

LIQENI JÖKULSÁRLÓN – ISLANDË

Ndodhet 250 kilometra nga Reikjaviku, kryeqyteti i Islandës dhe është liqeni më i madh që njihet deri më tani me origjinë akullnajore në Islandë. Karakteristika e tij më e veçantë është prania e ajsbergëve të shumtë, që gjatë muajve të verës, shkëputen nga pjesa kryesore e akullnajës Breiðamerkurjökull. Këto blloqe të mëdha akulli marrin ngjyra të ndryshme, nga ajo turkeze tek bluja e thellë, por edhe të verdhë për shkak të sulfideve dhe substancave me origjinë vullkanike.

ISHUJT LOFOTEN – NORVEGJI

Janë një arkipelag në Norvegjinë e famshme për malet mbresëlënëse, për fshatrat me shtëpi të kuqe, mjaft të fotografuara nga turistët. Ishujt ndodhen rreth 200 kilometra nga Rrethi i Arktikut. Temperaturat ndikohen prej rrymës së Gjirit, që gjatë verës nuk i kalojnë 25 gradë Celsius.

HAAPSALU – ESTONI

E njohur që në kohërat antike për vetitë shëruese të ujërave dhe baltës termike, ju ofron mundësinë e një qëndrimi të këndshëm në një atmosferë të paqtë. Qendra karakterizohet nga rrugë të ngushta dhe shtëpi prej druri që datojnë në fillim të shekullit XX. Ka një shëtitore buzë detit. Klima në verë është e freskët me temperatura që variojnë nga 17 – 21 gradë.