17:17 / E Martë, 14 Janar 2020 / indeksADMonline

100 ditë nga dita e zgjedhjeve, kërkojnë që LVV të formoj Qeverinë e Re

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një komunikate ka thënë se krijimi i Qeverisë së re është nevojë urgjente, shkruan IndeksOnline.

Nga ky institut kanë thënë që vendi është duke u udhëhequr nga një Qeveri në dorëheqje prej më shumë se gjashtë muaj dhe korniza institucionale edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 mbetet ende pa u kompletuar tërësisht.

“Duke qenë se kanë kaluar 100 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve, proces ky i zhvilluar në përputhje me standardet demokratike dhe me rezultate të pranuara dhe legjitime, KDI-ja kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik fitues i zgjedhjeve, të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore”, thuhet në komunikatë.

Secila vonesë në materializimin e vullnetit politik dhe besimit të qytetarëve, do të ndikojë negativisht në adresimin e çështjeve që kërkojnë trajtim të menjëhershëm, siç janë miratimi i buxhetit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik./IndeksOnline/