75 Mall Live Search
21:17 / E Premte, 15 Maj 2020 / indeksADMonline

100 ditë qeverisje e shpresës, kush dezertoi, kush qëndroi e nga kush po kritikohet Albin Kurti?

Dy ditë më parë është mbajtur mbledhja e Qeverisë në detyrë, ku ministrat i raportuan kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit mbi 100 ditshin e punës së tyre.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë qeverisë nga presidenti Hashim Thaçi, i cili i cilësoi si “regjim i vjetër”, partitë e tjera politike dhe se qeveria do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja.

Bajqinovci: Qeveria e Kurtit ishte kundërshtarja e parë për grupet e korrupsionit

Në lidhje me punën që qeveria Kurti ka kryer për periudhën 100 ditëshe, për “Bota sot”, është prononcuar deputeti nga radhët e LVV, i cili ka thënë që qeveria Kurti ka shpëtuar vendin dhe është e para që kundërshtoi grupet e korrupsionit.

“Periudha 100 ditëshe e Qeverisë Kurti, është periudhë e pa ngjarë në historinë politike të Kosovës. Vendi ka pasur për herë të parë qeverisje normale e në tërësi në shërbim të shtetit e të qytetarëve. Në 100 ditë qeverisje, vlera e parave që ja kemi shpëtuar vendit nuk është me dhjetëra por me qindra miliona euro nëse i shikoni me kujdes vendimet e Qeverisë. Me një fjalë, Qeveria për herë të parë ishte kundërshtarja e grupeve të korrupsionit që e kanë vjedhë buxhetin e shtetit”.

Më tej, Bajqinovci thotë që menaxhimi i pandemisë ishte një tjetër sukses historik i qeverisë Kurti dhe pavarësisht krimit politik e mediatik të Thaçit, PAN-it edhe më vonë LDK-së, Kurti vazhdoi t`u shërbejë qytetarëve duke luftuar korrupsionin, nepotizimin.

“Ky përcaktim, kjo qasje, paralajmërimi i thellimit të goditjes së korrupsionit çoi edhe dezertimin e LDK-se drejt korrupsionit. Menaxhimi i pandemise është një storie e një përkushtimi e suksesi historik të Qeverisë Kurti. Qeveria u luftua me çdo mjet, përfshirë këtu edhe me institucione publike të kapura, por edhe me mjetet e krimit politik e mediatik qe Thaçi, PAN’i e me vonë edhe udhëheqja e ngushtë e LDK’ u bashkuan për të shpifur sulmuar e organizuar intriga të ulëta kundër Qeverise. E gjitha kjo, nga frika e suksesit të jashtëzakonshëm që Qeveria kishte filluar ta arrinte në fushat jetike”, përfundoi Bajqinovci për “Bota sot”.

Haxhiu: Kurtit kartoni i kuq iu dha atë ditë në kuvend me 82 vota

Nga ana tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që ditët e qeverisë Kurti do të mbahen mend për mashtrim dhe për shkelje të parimeve të tij.

“Qeveria Kurti, 100 ditë jo, por 51 ditë në qeveri dhe 49 të tjera e shkarkuar. Gjithë këto ditë të qeverisë Kurti do të mbahen mend për një qeveri të mashtrimit dhe atë e diplomuar në mashtrim. Qeveri e cila ka shkelur parimet e saja pasi që premtoi se do të flas për bashkimin kombëtar e kurrë nuk e përmendi”, u shpreh Haxhiu.

Më tej, deputetja Haxhiu, numëron disa nga veprimet që sipas saj kanë qenë të gabuara nga ana e qeverisë Kurti, duke përfshirë këtu edhe pranimin e testeve nga Serbia. Sipas Haxhiut, Kurti nuk solli program qeveritar.

“Për herë të parë kjo qeveri i shtroi tepihun e kuq Serbisë duke u bërë faktorë ndikues në rrugën që ka Serbia për anëtarësim në BE, duke e paraqitur si shtet humanitar për testet në kohë pandemie duke i pranuar me shumë lehtësim. Qeveria e Kurtit do të mbahet mend edhe për 10 milion euro tjera që ka dhënë për rrymën e shpenzuar nga serbët në Veri të Mitrovicës, do mbahet mend që ndau dy ministritë për listën serbe. Kurti harroi 20 mijë gra të dhunuara, harroi sakrificën dhe kërkim faljen por ishte i gatshëm të takohej me qytetarët serbë pa kërkuar falje. Kurti nuk solli program qeveritar në 51 ditë, ai i stërpolitizoi bordet duke u munduar të i kontrolloj me profesionit të VV-së”, përfundoi Haxhiu për “Bota sot”.

Musliu-Shoshi: Qeveria Kurti mirë që u shkarkua mirëpo keq që nuk mund të shkojmë tash në zgjedhje

Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga radhët e PDK-së, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që qeveria Kurti kishte të drejtë qeverisje vetëm 51 ditë dhe se kjo qeveri ka shkelur kushtetutën në muajin e dytë të qeverisjes.

Gjithashtu deputetja thotë që Kurti nuk realizoi asnjë premtim të tij duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me SHBA-të.

“Së pari, kur të flasim 100 ditëshin e Qeverisë Kurti, duhet ta bëjmë një ndarje thelbësore. Ajo nuk ishte qeveri me të drejta të plota 100 ditë, por vetëm 51. 49 ditët e tjera i ka si qeveri e shkarkuar, sepse për rrëzimin e saj votuan më shumë se ⅔ e deputetëve të Kuvendit. Së dyti, që nga viti 2000 e tutje, nuk ka qeveri e cila është votuar në Kosovë dhe e cila e ka shkelë kushtetutën e Kosovës në muajin e dytë të qeverisjes. Kryeministri i shkarkuar do të mbahet në mend se si nuk e realizoi premtimin e tij që paga minimale të rritet në 350 euro. Do ta mbajmë mend që përmes pakos emergjente ai vendosi lëmoshë prej 170 euro për qindra mijëra punëtorë të Kosovës. Do ta mbajmë në mend se si i la jashtë pakos emergjente qindra punëtorë të mirëmbajtjes. Do ta mbajmë në mend se si për herë të parë një Kryeministër, pas atij komunist në Shqipëri, i dëmtoi aq rëndë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Musliu-Shoshi.

Tutje, Shoshi gjithashtu përmend pranimin e testeve nga Serbia duke u shprehur që është shumë shkarkimi i kësaj qeverie mirëpo e keqja e saj është që për shkak të pandemisë nuk mund të mbajmë zgjidhje.

“Pastaj, lejimi i ndërhyrjes së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Sot, e kësaj dite ne nuk e dimë kush i teston dhe kush i shëron pacientët në veriun e Mitrovicës, mjekët e Kosovës apo të Serbisë. Ne nuk e dimë as në cilin format zyrtar janë pranuar 1000 testet e Serbisë për qytetarët serb në Mitrovicë. Mos të la pa e përmend se si kjo qeveri, përmes këshilltarit të saj, i tha fjalët që shteti i Serbisë i thotë më së shumti për UÇK-në. Kjo qeveri shumë mirë që u shkarkua, por keq që për shkak të pandemisë CoVID-19 nuk po mund të shkojmë në zgjedhje. T’u tregojmë qytetarëve për qeverisjen e dëmshme të tyre, dhe për alternativën e Partisë Demokratike të Kosovës”, përfundoi deputetja.

Elezaj: 100 ditshi i Qeverisë Kurti mjaftë i suksesshëm për vendin tonë

Analisti politik, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, shprehët që qeveria Kurti ka qenë mjaftë e suksesshme në shumë fusha e sidomos në menaxhimin e situatës financiare dhe të pandemisë.

“Pranë gjithë këtij kufizimi dhe zvogëlimit të marzhës së fushë veprimtarisë së qeverisë “Kurti”, unë mendoj se 100 ditshi i saj në punë dhe detyrë, ka qenë mjaft i suksesshëm, sidomos në disa fusha të ekonomisë, siç është ndarja e sistemit energjetik nga Serbia dhe kyçja e tij me sistemin e Shqipërisë, pastaj menaxhimi i mirë e situatës financiare, duke ia ulur pagat organeve qeveritare, por jo edhe gjykatësve dhe policisë, duke i shkarkuar disa borde jofunksionale dhe të korruptuara, etj., e që pa dyshim, arritja më kryesore e qeverisë “Kurti” në detyrë është menaxhimi i mirë i gjithë situatës me pandeminë e koronavirusit”, përfundoi Elezaj.