75 Mall Live Search
09:10 / E Martë, 21 Tetor 2025 / S Z

11 komuna të Kosovës ende pa buxhet për vitin fiskal, rrezikohen funksionimi dhe projektet

Procesi i miratimit të buxheteve komunale për vitin fiskal ende nuk është finalizuar në të gjithë territorin e vendit.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se 11 komuna: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin- Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë, janë ende pa buxhet të miratuar.

Sipas tij, kjo situatë lidhet me rrethanat politike në vend, pasi Kosova ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe balotazhi në disa komuna mbahet, më 9 nëntor.

“Kjo gjendje është pasojë e rrethanave politike në Republikën e Kosovës, pasi vendi ndodhet në proces zgjedhor komunal dhe më 9 nëntor mbahet balotazhi në disa komuna. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe në procedurën e miratimit të buxheteve”, tha ai për Front Onlinen.

Ai paralajmëroi se nëse buxhetet komunale nuk miratohen para buxhetit të shtetit, komunat do të kufizohen në financim të përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak.

“Rreziku ekziston që nëse buxhetet komunale nuk miratohen para se Kuvendi i Republikës së Kosovës të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e shtetit, komunat të mbesin të kufizuara në financimin e përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak”, tha Ibrahimi.

Për këtë arsye, Asociacioni… ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit, që buxhetet të miratohen pas konstituimit të organeve të reja komunale.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve, në mënyrë që procesi të zhvillohet pas konstituimit të kuvendeve të reja dhe të reflektojë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur”, tha ai për Front Onlinen.

Sipas Ibrahimit, mosmiratimi me kohë i buxheteve komunale ndikon direkt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e komunave.

“Shërbimet publike mbulohen vetëm në nivelin bazik, duke penguar nisjen e projekteve të reja. Projektet kapitale; ndërtimi i rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve dhe kanalizimeve mund të pësojnë vonesa të mëdha. Ekonomia lokale mund të dëmtohet nga pasiguria e kontraktorëve dhe bizneseve që bashkëpunojnë me komunat”, shtoi ai.

Mirëpo, kryetarët e komunave nuk e shohin vonesën e miratimit të buxheteve si problem, duke thënë se është herët dhe do të aprovohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimit të asamblesë së re komunale.