75 Mall Live Search
07:57 / E Martë, 03 Mars 2026 / AR

Rrjeti u bë lëmsh, sozia i tërhoqi çmimin Jim Carrey në Paris?

Aktori i njohur hollivudian Jim Carrey i surprizoi të gjithë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “César” në Paris kur fjalimin e tij e mbajti në gjuhën frënge. Menjëherë në rrjetet sociale u përhap teoria se ai që tërhoqi çmimin ishte një sozi duke analizuar edhe pamjen e fytyrës së aktorit.

Në një fjalim emocional, Carrey i bëri homazh shumë prej gjigantëve të kinemasë franceze dhe zbuloi prejardhjen e tij duke u shprehur se stërgjysh, stërgjyshi i tij, Marc-François Carré, lindi në St Malo rreth 300 vjet më parë, para se të emigronte në Kanada.

Artistja Alexis Stone postoi një foto në Instagram të sozive të ndryshëm duke sugjeruar se njëri prej tyre kishte qenë në skenë, në vend të yllit të filmave “The Mask”, “The Truman Show” dhe “Liar Liar”.

Edhe aktorja Megan Fox shkroi: “Nuk mund të përballoj më stres tani. Duhet të di nëse kjo është e vërtetë.”

Pas këtyre komenteve ka reaguar Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i çmimeve “Césars” që i hodhi poshtë pretendimet. Ai zbuloi edhe angazhimin e Carrey për këtë aktivitet të planifikuar që nga vera e kaluar.

“Që në fillim, ai u prek jashtëzakonisht nga ftesa e Akademisë. 8 muaj diskutimesh të vazhdueshme dhe konstruktive. Ai punoi për fjalimin e tij në frëngjisht për muaj të tërë, duke më pyetur për shqiptimin e saktë të fjalëve të caktuara” – shkroi Caulier.

Aq krenar ishte Carrey për nderin që po i bënin saqë, përveçse solli me vete partneren, vajzën, nipin dhe publicistin e tij, e shoqëruan edhe 12 “miq të ngushtë dhe anëtarë të familjes”. “Miku i tij i vjetër Michel Gondry, i cili ka bërë një film dhe dy seriale me të, ishte atje, dhe ata ishin të kënaqur që u panë përsëri” – tha ai.

“Për mua, nuk është problem. Më kujtohet vetëm bujaria, mirësia, bamirësia dhe eleganca e tij” –shtoi ai.

Dikur një nga aktorët më të dashur dhe më të financueshëm të komedisë në Hollywood, Carrey ka marrë duartrokitje edhe për role më serioze në filma të tillë si “Man on the Moon” dhe “Eternal Sunshine of the Spotless Mind”.

Në vitin 2022, ai i tha portalit “Deadline” se “ndoshta” do të dilte në pension. “Më pëlqen shumë jeta ime e qetë dhe më pëlqen shumë të vendos ngjyra në kanavacë dhe e dua shumë jetën time shpirtërore dhe ndiej se, dhe kjo është diçka që mund të mos e dëgjosh kurrë një personazh të famshëm ta thotë për sa kohë që ekziston koha, kam mjaftueshëm. Kam bërë mjaftueshëm. Jam mjaftueshëm.”