13:13 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

11 vjet nga vrasja e gazetares ruse Politkovskaya, kërkohet gjetja e ideologëve të krimit

Departamenti amerikan i shtetit i ka bërë thirrje Rusisë që t’i gjej dhe dënojë ata që e kanë urdhëruar vrasjen e gazetares së njohur investigative ruse, Anna Politkovskaya, në vitin 2006.

Në kumtesën e mbrëmshme, një ditë para 11 vjetorit të vrasjes së gazetares Politkovskaya, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, tha se raportimet e kësaj gazetareje “kanë vënë dritë në shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi dhe për vuajtjet e viktimave të luftës në rajonin e Kaukazit Verior”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë nga autoritetet e Rusisë që ta identifikojnë dhe dënojnë personin apo personat që urdhëruan, planifikuan dhe e financuan këtë krim të tmerrshëm”, tha Nauert, njofton rel.

Anna Politkovskaya, kritike e ashpër e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raportimet e së cilës e kanë zbuluar korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në rajonin Çeçeni në Rusi, është vrarë më 7 tetor të vitit 2006, në ndërtesën ku banonte në Moskë.

Në vitin 2014, dy persona janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe dy të tjerë me burgim, për përfshirjen e tyre në këtë vrasje.

Por, të afërmit dhe kolegët e gazetares së vrarë thonë se drejtësia nuk do ta kryejë detyrën e saj, derisa ata që e urdhëruan vrasjen e saj të identifikohen dhe dënohen.

Meqë Politkovskaya ishte vrarë në ditën kur Putin e shënon ditëlindjen e tij, janë përhapur spekulime se vrasja e saj mund të ishte “dhuratë” për presidentin rus.