75 Mall Live Search
10:00 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

113 të helmuar nga uji në Bulqizë, qeveria hesht

Ka shkuar në 113 numri i personave të helmuar nga uji i pijshëm në lagjen “Qytet i vjetër”, të Bulqizës.

Mes të sëmurëve ka edhe fëmijë. Kjo situatë ka alarmuar mjekët, duke pritur nga momenti në moment persona të tjerë, të cilët rrezikojnë të helmohen.

Helmimi nga uji është dyshimi kryesor edhe për bluzat e bardha, por për shkakun zyrtar do të priten analizat.

Banorët e kësaj zone shprehen, se linja e ujësjellësit është e amortizuar dhe gjasat më të mëdha i ka të jetë ndotur nga miniera duke rrezikuar jetët e tyre, shkruan gazetashekulli. Edhe pse situata është mjaft alarmante, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga instancat përkatëse.

Drejtori i spitalit, Hazis Jella, thotë se piku i epidemisë ishte mbrëmjen e së shtunës.

“Piku i epidemisë ka qenë të shtunën në mbrëmje rreth orës 20:00-21:00 të darkës. Nuk di të them me korrektësi nga se mund të ketë ardhur, por të gjithë vinë nga qyteti i Bulqizës, Lagjja e Vjetër”.

Nga ana tjetër mjeku Ramazan Ceni, thotë se shkaku kryesor i këtij helmimi është uji i pijshëm.

Ndërsa mjeku Shahin Kaja, veç ujit të pijshëm thotë se mund të jetë shkaktare edhe ndonjë furrë buke, apo keqbërës.

Nga ana tjetër, mësohet se ekspertët kanë marrë mostra të ujit që janë sjellë në Tiranë për analiza, ndërsa banorët janë urdhëruar të mos e përdorin ujin që u shkon në çezma.

Banorët e Bulqizës mbeten në alarm, ndërsa numri i qytetarëve që shfaqin shqetësime vijon të rritet.

Epidemiologia e ISHP në këtë qytet, Rovena Daja në një prononcim për mediat tha se epidemia në Bulqizë mund të jetë shkaktuar nga uji.

Daja nënvizoi se numri i rasteve në spital është ulur, ndërsa shtoi se nuk ka pasur raste të rënda.

“Kemi pasur 82 raste të personave të shtruar në Spitalin e Bulqizës dhe atë të Peshkopisë. Këtë epidemi mund ta ketë shkaktuar uji. Është bërë kërkesë zyrtare te ISHP dhe nesër (sot) do të kemi përgjigje zyrtare se kush e ka shkaktuar helmimin e banorëve në Bulqizë. Kemi udhëzuar për momentin që uji mos të konsumohet. Lagjja e vjetër në Bulqizë konsumon kryesisht ujin e rrjetit”, deklaroi Rovena Daja, epidemiologe pranë ISHP.