16:52 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Protestuesit sfidojnë presidentin Putin, në ditën e ditëlindjes

Në një sfidë ndaj Presidentit Vladimir Putin në 65 vjetorin e lindjes së tij, protestuesit mbushën rrugët e Rusisë nën thirrjet e udhëheqësit opozitar Alexei Navalny për të ushtruar presion ndaj autoriteteve që ta lejojnë atë të futet në garën presidenciale.

Disa qindra protestues, shumica e tyre studentë, u mblodhën në Sheshin “Pushkin” në qendër të Moskës duke valëvitur flamuj rusë dhe brohoritur “Rusia do të jetë e lirë!” dhe “Lëreni Navalnin të kandidojë!”

Policia i bllokoi protestuesit që të shkonin tek Sheshi i Kuq duke i kthyer ata mbrapsht. Orë më vonë, disa protestues u përpoqën të marshonin drejt Kremlinit me thirrjen “Putini hajdut!” dhe u përpoqën për pak minuta të bllokonin trafikun. Një tubim në qytetin Shën Peterburg, nga e ka prejardhjen zoti Putin, tërhoqi një turmë të madhe protestuesish që rezultoi në përleshje me policinë.

“Do të vazhdojmë të protestojmë, pavarësisht mënyrave të presionit dhe dizinformimit. E vetmja gjë që dinë është të trembin njerëzit. Por jemi në epokën e informacionit ku njerëzit marrin të dhënat nga burimi. Shteti nuk ka fuqi të mashtrojë njerëzit”, thotë një protestues.

“Kjo qeveri ka zgjatur shumë dhe pa ndryshuar asgjë. Askush nuk dëshiron të bëjë ndryshime. Kjo nuk është gjë e mirë. Nuk ka transparencë dhe e nesermja është e pasigurtë”, thotë një tjetër demonstrues.

Pas shpërbërjes së marshimit në Shën Peterburg, disa qindra protestues vazhduan tubimin për disa orë në Sheshin Vostania (Vosstaniya) ndërsa policia ishte e gatshme të ndërhynte.

“Konkurrenca dhe ndryshimi i pushtetit janë elemente thelbësore. Kështu duhet të ndodhë. Pushteti duhet të ndryshojë. Duhet të ketë konkurrencë të fortë”, thotë një protestuese.

“Besoj se Navalny është alternativa më e mirë e mundshme. Ai nuk është ideal dhe ka shumë të meta si çdo njeri tjetër. Por ai është më i mirë nga ata që kemi”, thotë një tjetër protestues.

Tubimet ndodhin ndërsa vetë Navalny po vuan një dënim me 20 ditë në burg për thirrjet për një protestë të hershme të pa lejen e policisë./voa