75 Mall Live Search
14:43 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / Z S

ASK-ja publikon statistikat e tregtisë së jashtme për muajin maj, bie eksporti e rritet importi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2025.

Sipas ASK-së deficit tregtar është më i lartë për 21,5% në muajin maj 2025, krahasuar me muajin maj të vitit 2024. 

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,5% në muajin maj 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 523,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 430,6 milionë euro në vitin 2024”, thuhet në njoftim.

Eksporti mbulon importin me vetëm 13,5%.

Sipas ASK-së eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81,4 milionë euro, ndërsa importi 604,7 milionë euro, që thuhet se është një rënie prej (-0,5%) për eksport, si dhe një rritje prej 17,1% për import, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 24,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 9,9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, pijet dhe duhani, 8,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili. 

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit, 12,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9,9% e përbëjnë produktet minerale.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29 milionë euro, ose rreth 35,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,3%. 

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,5%), Italia (3,5), Holanda (3,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 265,1 milionë euro, ose 43,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,0%.

“Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (5,1%), Polonia (5,1%), etj.”, thuhet në njoftim.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34,5 milionë euro, ose 42,5% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13,0%). 

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14,8%), Shqipëria (13,6%), Mali i Zi (6,5%), Serbia (6,1%)”, thuhet në njoftim.

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,6 milionë euro, ose 11,5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%. 

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (3,7%), Serbia (3,4%), Shqipëria (3,3%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,9 milionë euro, ose 21,9%.

“Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (4,1%)”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 270 milionë euro, ose 44,6%. 

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4%) dhe Kina (12,1%)”, thuhet në njoftim./Indeksonline/