75 Mall Live Search
16:17 / E Enjte, 04 Shtator 2025 / Z S

Kamberi: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve duhet të bëhet pjesë e bisedimeve Serbi-BE si problem i të drejtave të njeriut

Në këtë intervistë për platformën www.pasivizimi.com, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, flet pos tjerash, për selektivitetin etnik të pasivizimit, mungesën e transparencës nga autoritetet shtetërore, reagimet ndërkombëtare dhe nevojën për presion diplomatik ndaj Serbisë.

Sipas tij, pasivizimi po synon sot në zonat urbane të njëjtin efekt me atë që është bërë pas luftës në vendbanimet malore, kur janë zbrazur fshatra të tëra nga shqiptarët.

– Z.Kamberi, së fundi keni marrë dy përgjigje zyrtare nga instancat  evropiane, ku theksohet edhe çështja e pasivizimit. Çfarë prisni konkretisht nga këto përgjigje?

Shaip Kamberi – Fakti që institucionet evropiane e kanë përfshirë çështjen e pasivizimit në komunikimet zyrtare është një hap i rëndësishëm. Kjo çështje duhet të bëhet pjesë e agjendës së bisedimeve të Serbisë me BE-në dhe të trajtohet si problem i të drejtave themelore të njeriut. Ndryshimi artificial i strukturës etnike të popullsisë është i ndaluar jo vetëm me normat ndërkombëtare, por edhe me vetë Kushtetutën e Serbisë. Prandaj, presim presion diplomatik më konkret dhe intensiv mbi autoritetet e Serbisë për ta ndalur këtë praktikë diskriminuese dhe për t’i rivendosur të drejtat ligjore të qytetarëve shqiptarë.

– Zyrtarët e Republikës së Serbisë mohojnë se procesi i pasivizimit është selektiv ndaj shqiptarëve dhe pohojnë se Ligji për Vendbanim dhe Vendqëndrim zbatohet njëjtë për të gjithë shtetasit e Republikës së Serbisë. Paralelisht, institucione ndërkombëtare dhe organizata kredibile joqeveritare kanë kërkuar hetime ndaj zbatimit të ligjit për procesin e pasivizimit duke ngritur dyshime për aplikim selektiv ndaj pakicës kombëtare shqiptare. Komenti juaj?

Shaip Kamberi – Mohimi është bërë kulturë politike zyrtare në Serbi. Prej mohimit të gjenocidit e krimeve të luftës që janë konstatuar me aktgjykime të plotfuqishme të Tribunalit ndërkombëtar, mohimi i diskriminimit sistematik dhe konkret, e deri te mohimi i pasivizimit etnikisht të motivuar si pjesë e agjendës së përditshme të autoriteteve serbe. Mohimi është në kundërshtim me realitetin, por meqë nuk ka një reagim ndërkombëtar më serioz, Serbisë i është dhënë komoditet për të vazhduar me këtë politikë. Flet fakti që vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përballur masivisht me pasivizim, ndërsa asnjë komunitet tjetër jo. Nëse ligji zbatohej në mënyrë të barabartë, atëherë do të kishim shembuj edhe nga rajone të tjera të Serbisë. Raportet e Komitetit të Helsinkit dhe YIHR që flasin për pasivizim me prapavijë etnike, dëshmojnë se në komunat me shumicë dërmuese serbe në fqinjësi me komunat me shumicë shqiptare, sikurse Lebanja, pasivizimi është deri 0,02%, ndërkohë që në Medvegjë shkalla e pasivizimit është 40%. Kjo është dëshmi e qartë se ç’po ndodh. Kërkesa e institucioneve ndërkombëtare për hetime është dëshmi shtesë se dyshimet tona janë të bazuara dhe se pasivizimi është përdorur si instrument administrativ për ta ndryshuar strukturën etnike të rajonit, në fakt për ta legjitimuar një pastrim etnik që po ndodh në zemër të Evropës.

– Cilat janë faktet që keni për të dëshmuar se pasivizimi po zbatohet në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve në Serbi?

Shaip Kamberi – Faktet janë të qarta: numri i madh i rasteve të pasivizimit ndodh vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën ose një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, pra në Preshevë, Bujanoc dhe sidomos në Medvegjë. Po ashtu, kemi raste të dokumentuara ku qytetarët shqiptarë, edhe pse jetojnë fizikisht në adresat e tyre, figurojnë të pasivizuar. Ky është diskriminim i drejtpërdrejtë. Për më tepër, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë publikuar raporte që e konfirmojnë këtë praktikë selektive.

– A keni të dhëna të saktë për numrin e shqiptarëve të Serbisë që janë zyrtarisht të pasivizuar?

Shaip Kamberi – Fatkeqësisht, Serbia nuk ka transparencë në këtë proces. Shifrat zyrtare nuk bëhen publike nga autoritetet serbe, megjithëse kemi këmbëngulur për transparencë. Ose edhe kur i japin disa të dhëna, ato ndryshojnë prej rastit në rast. Mungesa e transparencës është një tjetër dëshmi për diskriminimin etnik. Megjithatë, sipas të dhënave që ne kemi mbledhur në terren dhe raportimeve të vet qytetarëve, vetëm në komunën e Medvegjës numri i shqiptarëve të pasivizuar arrin në mijëra. Për Preshevën dhe Bujanocin kemi gjithashtu qindra raste të dokumentuara. Këto të dhëna flasin qartë për një proces të qëllimshëm dhe sistematik të shpopullimit të Luginës së Preshevës.

Pasivizimi po synon në zonat urbane efektin e njëjtë të pastrimit etnik të shqiptarëve nga vendbanimet malore, kur pas luftës u zbrazën nga dhuna policoro-ushtarake fshatra të tëra shqiptare nga Zona Tokësore e Sigurisë.

– Cilat janë veprimet që ndërmarrin institucionet të cilat drejtohen nga shqiptarët në Serbi lidhur me pasivizimin?

Shaip Kamberi – Institucionet tona lokale janë të kufizuara në kompetenca. Ato nuk kanë kurrfarë kompetenca as në policinë lokale, por ne kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje në Kuvendet Komunale, në Parlamentin republikan, në komunikime me autoritetet serbe, e sidomos me ndërkombëtarët. Kemi dërguar kërkesa zyrtare në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kemi informuar partnerët ndërkombëtarë. Si përfaqësues politik, kemi përdorur çdo hapësirë që kemi në Kuvendin e Serbisë për ta adresuar këtë problem. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar me organizata të shoqërisë civile, për të dokumentuar rastet konkrete dhe për t’i dorëzuar ato si prova te faktorët ndërkombëtarë.

– A jeni përpjekur të keni komunikim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Stacionet policore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ; si dhe me institucionet e tjera shtetërore, për çështjen e pasivizimit?

Shaip Kamberi – Po, kemi bërë përpjekje të shumta. Kemi kërkuar takime zyrtare, kemi adresuar interpelanca në Parlament dhe kemi dorëzuar pyetje parlamentare. Përgjigjet që kemi marrë deri tani janë gjithmonë mohime ose shmangie nga realiteti. Ministria e Punëve të Brendshme dhe strukturat e saj lokale nuk kanë treguar asnjë gatishmëri reale për dialog dhe transparencë. Kjo vetëm e forcon bindjen tonë se pasivizimi nuk është thjesht një procedurë teknike, por një politikë e qëllimshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës./Indeksonline/