75 Mall Live Search
21:30 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / Z S

Mbyti fqinjën për një apartament dhe e fshehu trupin e saj për 11 vjet

Gjykata e Qarkut e Zagrebit ka dënuar shtetasin kroat Damir Keleminçiq (67) me 35 vjet heqje lirie për vrasjen e fqinjës së tij Sllavojka Senishin (76) në vitin 2011.

Përveç dënimit me burg, gjykata i konfiskoi pasurinë e fituar, një apartament për të cilin, sipas vendimit, ai e vrau fqinjën e tij, dhe gjykata e urdhëroi t’ia dorëzojë apartamentin shtetit kroat brenda 15 ditëve nga hyrja e vendimit në fuqi. Ai gjithashtu duhet të paguajë më shumë se 10 mijë euro për shpenzime gjyqësore.

Gjykata arriti në përfundimin se Keleminçiq e mbyti Senishin me tel në vjeshtën e vitit 2011, e mbështolli trupin me qilima, e lidhi me shirit ngjitës, dhe e hodhi në një pus në pronën e tij në Preçno. Pastaj e mbushi pusin me mbeturina ndërtimi dhe mbolli lule për të mbuluar gjurmët. Pesë vjet më vonë, ai u përpoq të përvetësonte apartamentin e viktimës me një kontratë të falsifikuar shitjeje.

Gjykata tha se i pandehuri nuk e fshehu se kishte ambicie për të përvetësuar pronën e fqinjës duke organizuar tubime në pronën ku ndodhej trupi i viktimës për vite me radhë. Vendimi i gjykatës konfirmoi gjetjet e gjashtë raporteve të ekspertëve dhe dëshmitë e 50 dëshmitarëve, si dhe regjistrimet e bisedave telefonike në të cilat Keleminçiq i njoftoi të birit dhe të atit se policia do ta “gjente Sllavojkën”.

Ishin këto biseda, të cilat u përgjuan nga policia pak para arrestimit të tij në vitin 2022, që ishin vendimtare në vërtetimin e fajësisë së tij. Në këto biseda, Keleminçiq pranon se e “zhvendosi” fqinjën dhe pretendon se e vrau “në vetëmbrojtje”. Ndërsa policia po kontrollonte oborrin e tij, ai foli me të atin për ushqimin dhe faturat e papaguara dhe e siguroi të birin se “nuk ka nevojë për panik pasi gjithçka do të shkojë mirë”. Gjykatësi e përshkroi krimin si një “plan të detajuar të motivuar nga lakmia”.

“Viktima u vra nga pas, brutalisht dhe mizorisht, vetëm që i pandehuri të mund të fitonte pronë. Pas kësaj, ai jetoi për vite me radhë në vendin ku varrosi trupin, i vetëdijshëm për atë që ishte atje”, tha gjykatësja Zhelka Skomershiq. Trupi i gruas së vrarë u gjet vetëm në vitin 2022, kur policia përdori një ekskavator për të hapur një pus në pronën e Keleminçiq.

Vendimi i sotëm nuk është përfundimtar dhe mbrojtja ka të drejtë të apelojë në Gjykatën Supreme.