75 Mall Live Search
13:06 / E Premte, 01 Gusht 2025 / Z S

OEK-ja me thirrje urgjente ndaj ZRRE-së, bizneset po humbin mbi 328 mijë euro në ditë

Oda Ekonomike e Kosovës, së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës, ka ngritur alarmin për pasojat financiare që po shkakton dalja e detyruar e bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke kërkuar urgjentisht pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas të dhënave të tyre, bizneset prodhuese janë duke u përballur me një dëm mesatar ditor prej rreth 328 mijë euro, që përkthehet në rreth 10 milionë euro në muaj. Kjo si pasojë e çmimeve të larta në tregun e lirë dhe moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale nga ZRRE-ja, thuhet në njoftimin e OEK-ut në Facebook.

Efekti domino i këtij vendimi po rrezikon jo vetëm likuiditetin financiar të sektorit prodhues, por edhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Sipas OEK-ut, kërkesat për parapagim të dy muajve depozitë nga operatorët e furnizimit me energji arrijnë në rreth 20 milionë euro, duke detyruar shumë biznese të marrin kredi dhe të paguajnë interesa shtesë. Ndërkohë, vetëm për muajin gusht, bizneset do të duhet të paguajnë rreth 50 milionë euro para të gatshme, përfshirë faturat dhe depozitat.

“Pezullimi i vendimit të ZRrE-së sot është akt patriotik”, thuhet në reagimin e përbashkët, duke nënvizuar se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur ekonominë, biznesin dhe qytetarin e Kosovës.

OEK-ja kërkon që urgjentisht të ndërhyhet për të rikthyer një qasje më të balancuar ndaj sektorit të energjisë dhe për të garantuar kushte të qëndrueshme për bizneset vendore./Indeksonline/