Projekti i Unazës së Jashtme s’përfshihet në projektbuxhetin e Prishtinës për 2026
Projekti i Unazës së Jashtme të Prishtinës, i cilësuar si një nga zotimet kryesore dhe më strategjike të kryetarit Përparim Rama nuk është përfshirë në propozim-buxhetin e komunës për vitin 2026.
Në dokument është paraparë vetëm unaza e brendshme, ndërsa nga Komuna nuk kanë dhënë sqarime për mungesën e këtij projekti.
“Prishtina po hyn në një epokë të re të lëvishmërisë me unazën e jashtme të kryeqytetit. Ky është projekti më strategjik i kryeqytetit”.
Ishte një nga zotimet kryesore të Përparim Ramës, që nga mandati i parë i tij si Kryetar i Prishtinës.
Unaza e jashtme ishte premtimi i paraqitur si një zgjidhje për lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të kryeqytetit.
Megjithatë, i njëjti nuk figuron në propozim-buxhetin e komunës për vitin 2026 i cili do të hidhet në votim të premten, raporton RTV Dukagjini.
Në të është përfshirë vetëm unaza e brendshme e cila lidh kryeqytetin me Fushë-Kosovën, në vlerë prej 220 mijë euro, me burime vetanake.
Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me mospërfshirjen e këtij projekti në buxhetin për vitin 2026.
Kritikuese për këtë ishte deklaruar Lëvizja Vetëvendosje-Dega në Prishtinë por që kanë thënë se detajet e qëndrimeve të tyre do t’i bëjnë publike në seancën nesër.
“Kemi vendos që ç’ka ka të bëjë me buxhet krejt qëndrimet i japim nesër ne seancë”, ka thënë asamblisti i VV-së, Besart Krasniqi.
Njësoj për Dukagjinin ka deklaruar një ditë më parë edhe Partia Demokratike.
Për monitorues të Komunave, arsyeja kryesore mbetet mungesa e vullnetit të Qeverisë e që kostoja e projektit, rreth 350 milionë euro, nuk mund të mbulohet tërsisht nga komuna.
“Është një projekt shumë i madh kosto e të cilit shkon deri në 350 milionë euro. Kjo shumë është e pamundshme për buxhetin e komunës së Prishtinës dhe sa kam info, ka kërkuar mbështetje nga Qeveria. Mirëpo sa po shihet s’ka pasur vullnet që kjo çështje të adresohet dhe kemi një situatë ku komuna ka bërë përpjekje përmes Berzhit të sigurojë fond të mjaftushëm për nisjen e këtij investimi por edhe aty është problem sepse kërkohet garancion sovran nga shteti që Qeveria nuk ka dhënë për komunën. Kemi një projekt të pezulluar dhe duke e parë të pamundshme për fillim, në buxhetin e kltij viti komuna nuk e ka përfshirë sepse është e pakuptimtë të përfshihet një projek që nuk mund të fillojë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Muhamet Bytyqi.
Sipas Bytyqit, pasojat do të drejtojnë tek rënia ekonomike në kryeqytet.
“Nëse shohim nga praktika e vendeve të tjera, shumica e vendeve kanë unaza të jashtme sepse është e vetmja mënyrë për të liruar qarkullimin. Te rasti i Tiranës ndërtimi ka zgjatë 13 vite por në rast të Prishtinës, situata është më e favorshme sepse ndërtohet në pjesën jashtë qytetit dhe nuk ka ende ndërtime që do ta pengonin. Ky polarozimi qeveri qendrore dhe lokale nuk i shkon për shtati interesave qytetare sepse po i mban investimet peng, po shëndrrohemi në një provincë që s’do ketë ndikim ekonomik”, ka thënë Bytyqi.
Seanca e jashtëzakonshme për votimin e buxhetit të vitit 2026, do mbahet të premten, me fillim nga ora 10:00./Indeksonline/

