13:43 / E Martë, 22 Shkurt 2022 / AR

12 orë pas njohjes së pavarësisë, mbi 10 mijë trupa ruse dislokohen në Donetsk dhe Luhansk

Burime ushtarake nga Ukraina bëjnë me dije se mijëra trupa ruse janë dislokuar tashmë në Luhansk dhe Donetsk disa orë pasi presidenti Putin, në fjalimin drejtuar kombit, vendosi të njohë pavarësinë e krahinave separatiste.

Sipas inteligjencës ukrainase, vetëm gjatë natës kanë hyrë në territorin e Ukrainës 10 mijë trupa ushtarake ruse, 6000 prej të cilave janë dislokuar në Donestk dhe 5000 në Luhansk.

Daily Mail ka siguruar dhe disa video ku shihen karvanë të gjatë të mjeteve ushtarake ruse, ku përfshihen tanke dhe kamionë suporti që kalojnë përmes Donetsk.

Më herët presidenti Putin tha se ushtarët rusë do të futen aty pas nënshkrimit të traktateve me këto dy entitete, për të mbrojtur nga gjakderdhja popullsinë ruse që ndodhet aty. Ai e cilësoi misionin paqeruajtës dhe gjithashtu akuzoi Ukrainën se po kryen gjenocid në këto territore.