12 Qershori, një dite pranvere me liri plot! Emocione

Mimoza Gjevori
Në një kaos te pa përshkruar, kohë lufte e trishtimi, të kërcënuar nga forcat serbe e me dhimbje e lëshuam Kosovën në mesin e muajit maj, viti 1999. Ankth, pritje lajmesh nga Kosova që kisha lënë prindërit në Prishtinë, familjarë, shoqëri e gjithë bashkëkombësit e mi. Prindërit megjithatë i mbante një gëzim që ne fëmijët ishim larguar. Shumë e shumë fëmijë mbetën të vrarë, pa prindër, familje të ngushtë e të gjerë. Kujtime të paharruara!
Në rrugët e Shkupit na thanë se Ushtria britaneze që kishte zbarkuar në Maqedoni po kërkonte të rinj e të reja që flisnin gjuhën angleze. Pa asnjë hezitim nxituam drejtë një fushë të gjerë jashtë Shkupit. Ishim tre veta, unë, Kujtim Gjevori sot bashkëshorti im dhe një djalë tjetër nga Prishtina, Besnik Tahiri, sot Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.
Iu nënshtruam testit të gjuhës angleze,të kondicionit fizik dhe atij të inteligjencës së shkathtësisë në terren. Na pozicionuan mesin e ushtarëve që do të bënin, hyrje me helikopter në Kosovë. Hyrja pritej të ndodhte sa më shpejtë. Më pas u radhitëm në kampin e një prej pjesëve më të fuqishme të ushtrive në botë. U pajisëm njëjtë me ushtarët britanik, përveç armës së zjarrit.
Fatmirësisht isha me kondicion të shkëlqyer. Pajisjet, ushqimet dhe uji që duhet t’i mbaja ishin sa gjysma e peshës sime. Jo larg kufirit te Kosovës ishim ne dhe pjesëtarë elitë te ushtrisë britanike. Ato vinin nga një vend i largët, në kulmin e botës në Himalaje. Ishin nga legjioni legjendar, Gurka, janë nga Nepali dhe shërbejnë në ushtrinë britanike. Ishin shumë të sjellshëm e fjalëpakë – askush nuk kishte dashur të përballej me furinë e tyre . Së fundi, vet prania e tyre të përzgjedhur që të hyjnë të parët në Kosovë, është tregues që flet për profilin e tyre.
Ishte data 11 qershor 1999, kur na thanë të bëhemi gati për të hyrë në Kosovë, unë dhe dy përkthyesit tjerë ishim bashkë dhe po risnim në mes të një fushe, së bashku me qindra ushtarë të gatshëm për luftë. Forcat ruse tashmë ishin shfaqur në Prishtinë.
Nuk gjej fjalë me të cilat do mund të përshkruaj ndjesitë që po përjetoja atë pasdite. E mbështetur në çantë dhe pranë dashurisë time, që më ndihmonte kurdo që i jepej mundësia, rreth ushqimit apo pajisjeve që na kishin dhëne. Kampi ishte shumë I madh dhe ne ishim të shpërndarë.

Shikoja matanë maleve dhe mendoja për fatin e njerëzve që kishin mbetur në Kosovë. Fjala nuk e ka forcën e duhur, prandaj po e lë si pjesë të zemrës dhe padurimit që doja të hyja atje së bashku me ato forca. Ajo ndjenjë do t’më përcjell tërë jetën.
Krejt papritur operacioni u anulua për atë ditë. Shkuam të pushonim, por jo gjatë. Pak pas mesnate ushtarët na thirrën. Duhej të niseshim menjëherë! Nuk e besoja që po ndodhte. Po niseshim për të hyrë në Kosovë. Zemra e kishte marrë trupin nën kontroll dhe nuk po ndjeja frikë as lodhje nga pasha e rëndë.

Po agonte dita e 12 qershorit, 1999, ku helikopterët me dyer të hapura, me ushtarë e me armë te sofistikuara, të gatshëm për t’i përdorur, zbarkuan tek ura e parë nga drejtimi i Shkupit për Prishtinë. Ishim lëshuar ne Kosovë në agun e mëngjesit dhe kërcyem nga helikopteri. Rreziku I minave ishte gjithandej, ne mund të lëviznim vetëm në rrugë te asfaltuar. Njësive dominuese iu desh deri pasditen t’i çaktivizonin mjetet shpërthyese në tunelin e parë- dy nga ushtarët Gurka u bënë sakrificë e parë për Kosovën derisa po lironin rrugën për mundësimin e vazhdimit të trupave për të vazhduar shtrirjen mëtutjeshme.
Disa ditë më parë, me frikë dhe me dhimbje kisha kaluar kufirin duke lënë Kosovën pas. Isha përpjekur të mos thoja asnjë fjalë. Kurse forcat serbe ishin të bindura se kthim pas nuk ka!
Por, aleanca me e madhe ushtarake që historia ka njohur, na solli prapë ne Kosovë, më solli prapë në atë kufi. Tani unë isha ajo që po ua komunikoja atyre urdhrin që të çarmatoseshin dhe ta lëshonin pikën kufitare. Komandanti i policisë kufitare më kërcënoi (fjalitë urdhëruese dilnin nga goja ime- të vetmet që i kuptonte). Me shikim kanosës tha: ” kush je ti?, të më urdhërosh ta lëshoj vendin tim??? Nuk pata kohë t’i them që ky ishte urdhri i KFOR-it, sepse Komandanti i KFOR-it pikasi kërcimin e tij, pa njohur ndonjërën prej gjuhëve të popujve të hasmuar te Ballkanit.
Pa humbur kohë komandanti ynë britanik beri një hap para tij dhe ia drejtoi armën duke mu lutur që t’ia përkthej se çfarë kishte thënë! Pas kësaj e paralajmëroi se kishte autorizim t’a guaj nëse kërcënon verbalisht apo fizikisht përthyesin e tyre. Komandanti serb u zbut dhe dorëzoi armën bile pyeti a duhej t’a dorëzoj edhe këllëfin. Mbaj mend se çarmatosja zgjati me orë tëra. Kisha një ndjenjë të madhe sigurie, gëzimi, emocione që si përshkruaj dot. Liria kishte ardhur! Ishte e vërtetë. Një fillim i rendit të ri. Filloi diçka ndryshe, erdhi ne pah një vlerë që prisnim shumë gjatë, një ligj qè nuk duhej bredhur rrugëve me armë për të kërcuar dhe vrarë por për të siguruar lirinë çdo qytetari. E tek tuk, po dilnin para edhe ushtarë të UCK-së te lodhur, leckosur por të armatosur, të cilët u sugjeruan që të mos lëviznin me armë. Pastaj kolona jonë filloi të gjarpëronte nëpër grykën e Kaçanikut, e rrebeshi i shiut na detyroi të strehohemi në një tendë që depërtonte uji.
Mbaj mend që një nga komandantët britanik liroi vendin e vet ne makinë për të hyrë unë dhe vetë doli në shi. Ashtu vazhdonte ritmi, ku forca të KFOR- it pandërprerë kalonin shpërndaheshin ne territorin e sapo çliruar. Mirëpo para nesh po shfaqej mjerimi, frika, shkretëtira që për sa kohë ishin krijuar nga forcat policore paraushtarake dhe ushtarake serbe. Ato forca tani iknin, para se ushtarët britanikë të shfaqeshin. Pastaj derisa kolona jonë përparonte në brendi të Kosovës, njerëzit ngadalë me drojë, të pa sigurtë por me shpresë filluan të na dalin para të na përshëndesnin, t’na presin me gezim, plot shprese dhe shpesh me lule për ushtarët.
C’te them, oh, prapë fjala është e pafuqishme të përshkruaj ato fytyra, shkëlqimin ne ata sy të lodhur, por plotë shpresë që forcat e aleancës po i jepnin fund sundimit dhe regjimit të padrejtë mbi qytetarët e Kosovës. Ato fytyra do të mbesin gjithmonë në kujtesën dhe thelle në zemrën time.
Sot, dy dekada pas, ende ndjej gëzimin e njerëzve qe po i ktheheshin jetës. Ishte një ditë e gjatë dhe e paharrueshme. Tani ne terren veç se linjat ishin shtrirë. Kujtimin te dashurin tim, sot bashkëshort dhe babi vajzës tonë, Stinës, e kisha larg dhe nuk mund te komunikoja – përkthenim disa kontingjente me qindra ushtarë. Nuk po e them rastësisht këtë gjë sepse për nga rëndësia ishte minimale krahasuar me historinë që po shkruhej ato ditë, por po e them për të theksuar një gjë. Ushtarët britanik duke e ditur që jemi dy të rinj na I përcillnin mesazhet, duke ndryshuar kështu bindjet për femrën shqiptare siç na kishte paraqitur një sundim anti – human. E tërë kjo në një ditë, që nuk kam si ta harroj.
Këtë përjetim të hyrjes me forcat e NATO – së në Kosovë nuk e kam përmendur shpesh, e kam ruajtur me shumë kujdes, përherë më dukej që tregimi do ta harxhonte dashurinë për të. Por dashuria dhe respekti për ditën 12 qershor vetëm vjen e rritet, ku unë isha një copëz, shumë shumë e vogël ndihme, apo edhe fare krahasuar me çfarë kanë bërë nënat, vajzat, bijat, djemtë, baballarët, fëmijët për vendin tonë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Sa herë që frynë era, e kujtoj agun e asaj dite kur era m’i rrihte flokët në derën e hapur të helikopterit që së bashku me Gurkat më sollën në Kosovë . Një ditè qè ndryshoi historinë dhe më në fund e drejta për të jetuar në liri erdhi, për secilin. Ta gëzojmë lirinë dhe vendin tonë të bukur, me punë, dashuri dhe përpjekje që çdo gjeneratë që vjen ta gjej mirë e më mirë dhe të krenohet me kontributin tonë, të çfarëdo forme qoftë me dashurinë me të madhe për vendin dhe të ardhmen e fëmijëve tonë. Vendi im te dua!.