12 vjet burgim për ferizajasin që tentoi t’i vriste 4 persona të komunitetit jo shumicë

Gjykata Themelore e Ferizajt, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.I., për shkak të veprës penale në vazhdim: “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar dhe pranimit të fajësisë, të pandehurin F.I., e shpalli fajtor dhe atij i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 vjetësh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I pandehuri F.I., akuzohet se:
I
Me datë 11 nëntor 2024, rreth orës 15:29 minuta, në rrugën “R.B.” në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar ti privoj nga jeta fëmijët e moshës 10 vjeçare dhe 14 vjeçare, pjesëtar të komunitetit Ashkali, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuara kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të dëmtuarës 10 vjeçare dhe atë plagë shpuese prerëse në anën e majtë të kraharorit, thyerje e brinjëve VI dhe VII të anës së majtë, plagë shpuese në vrigullin e poshtëm të mushkërisë së majtë, plagë prerëse shpuese në pjesën e majtë të diafragmës, të cilat kanë shkaktuar edhe grumbullim gjaku dhe ajri në zfgavrën e majtë të kraharorit, të cilat dëmtime janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë dhe me maje, të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit, kurse e dëmtuara 14 vjeçare i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë plagë prerëse në regjionin e shpatullës së djathtë të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë të cilat kanë shkaktuar dëmtim të përkohshëm të shëndetit .
II
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datë 11 nëntor 2024 rreth orës 15:30 minuta në rrugën “E.T.” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.M., i moshës 32 vjeç, pjesëtar i komunitetit Egjiptian, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në kafiterinë “V.”, i pandehuri e godet me një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke e goditur në pjesën e kokës, qafës dhe faqes së djathtë të fytyrës duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë plagë shqyese në regjionin muror të kokës, në regjionin e mjekrës, në anën e majtë të qafës dhe në faqen e djathtë të fytyrës, të cilat kanë shkaktuar dëmtim të përkohshëm për shëndetin.
III
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datë 11 nëntor 2024, rreth orës 15:53 minuta në rrugën “H.S.” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A., i moshës 29 vjeç, pjesëtar i komunitetit Romë, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari duke lëvizur në këmbë me një karrocë, i pandehuri afrohet dhe e godet me një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, në pjesën e kraharorit, nga të cilat goditje i shkakton lëndime të rënda trupore dhe atë plagë shpuese, prerëse në anën e djathtë të kraharorit, thyerje e brinjës së IV të anës së djathtë, dhe plagë prerëse në vrigullin e sipërm të mushkërisë së djathtë, duke i shkaktuar grumbullim gjaku dhe ajri në zgavrën e djathtë të kraharorit, të cilat lëndime kanë rrezikuar jetën në momentin e shkaktimit .
Konform nenin 366 paragrafi 5 dhe 6 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.