12 vrasje brenda 8 muajve në Kosovë – A po bëhet vetëgjyqësi?

Nuk janë pak rastet e vrasjeve me të cilat po përballet Kosova. Vetëm gjatë periudhës janar-gusht në Kosovë kanë ndodhur 12 vrasje. Ndërsa një rast tjetër i rëndë ndodhi edhe gjatë kësaj jave në një fshat të Ferizajt, ku jetën dyshohet t’ia ketë marrë djali i axhës për shkak të një mosmarrëveshjeje për pronë.
Disa faktorë po shihen si shkak që po dërgojnë tek këto ngjarje tragjike, por atë që po vënë në pah njohësit e dritësisë, e sociologë janë zvarritja e procedurave gjyqësore, armatosja e qytetarëve dhe gjendja e rënduar socio-ekonomike. E gjithë kjo sipas tyre po çon në vetëgjyqësi.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një intervistë për Ekonomia Online ka shpjeguar se pse sipas tij po ndodhin vrasjet.
“Ne do të duhet të shikojmë aspektin e etiologjisë së problematikës të vrasjeve, jo vetëm fenologjinë, pra shpërfaqjes së këtyre elementeve në cenimin e sigurisë publike të Republikës së Kosovës. Etilogjia krurciale të vetëgjyqësisë është fakti që në vazhdimësi në mënyrë sistematike një luftë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës duke tentuar që të devalvohet puna institucionale. Por që ka mangësi në hallkën së sistemit të sigurisë dhe gjyqësimit, padyshim që ka. Ne e vërejmë që gjykatat janë të mbingarkuara me problematikat adiministrative penale dhe të gjitha këto akumulohen deri në veprime të vetëgjyqësisë nga ana e qytetarëve”, tha Shala.
Ndërsa avokati Emrush Kastrati tha se dënimet e gjykatave për rastet e vrasjeve janë maksimale.
“Unë nuk kisha thënë se kryerësit e veprave marrin iniciativën të vetëgjyqësisë ani pse nga një herë as unë nuk jam i kënaqur me punën e gjykatave por jo në përgjithësi, ka raste të caktuara ku mund të ndodhin mirëpo problemi qëndron në atë që natyra e procedurave, stërzgjatja e procedurave për shkak të dispozitave ligjore atëherë mund të mendohet deri te situata e vetëgjyqësisë. Gjithmonë duhet të kemi parasysh, pra, të presin, dhe durimin ta kenë dhe te ecin përpara me procesin. Politika ndëshkimore rreth shqiptimit të dënimit lidhur me dhunën dhe me çështjet e vrasjes, që janë vepra më të rënda, te kjo shqiptimi i dënimeve është në maksimumin ligjor që gjykatat e shqiptojnë”, tha Emrush Kastrati për Ekonomia Online.
E sociologu Genc Xërxa në një deklaratë për Ekonomia Online si ndër faktorët ka thënë të jenë armët pa leje.
“Janë disa faktorë që çojnë deri tek vrasjet. Njëra prej saj është siguria e cenuar publike, në dispozicion qytetarëve kemi numër të armëve pa leje. Mendohet se cdo i katërti posedon, sipas disa statistikave 400 mijë armë janë në duart e njerëzve brenda Kosovës. Ky është njëri prej faktorëve pastaj situata socio-ekonomike pastaj kriminaliteti në disa faza e kemi mjaft të shprehur. Dhuna domestike apo dhuna familjare, më pas është edhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, Gjykatës ndaj proceseve të ndryshme gjyqësore edhe i shtynë më pas njerëzit të marrin vetëgjyqësinë sepse janë të pakënaqur me verdiktin që iu jepet dhe mundohen ta marrin. Por, tash kur të analizon me një armë, me probleme të shumta socio-ekonomike edhe me një shëndet të rënduar mendor prej problemeve të ndryshme atëherë je si një bombë e kurdisur, dhe kur te ke armën atëherë edhe në ato momente vjen deri te konflikti”, ka deklaruar Xërxa.
Ai shtoi se arsimi dhe emancipimi i shoqërisë ndikojnë në uljen e vrasjeve.
“Shumicen e rasteve të konflikteve te ne nuk kemi kulturë të zgjidhjes së konfliktit, zakonisht mundohen me dhunë me i bë. Sa më e arsimuar të jetë shoqëria apo rinia atëherë emancipimi shoqëror është në nivel edhe mendojnë ta jetojnë një jetë të qetë, normale dhe pa konflikte, pa kriminalitet, ashtu që është shumë e mirëseardhur. Shumica e delikuentave nëse ju referohemi te të ritë, bazohen zakonisht kësaj moshe të ndishme të nxënësve, të cilët e braktisin shkollen kanë probleme të ndryshme familjare, janë eksplorues dhe kemi pasur raste të ndryshme brenda lagjes tonë që fëmijët e klasës tetë dhe nëntë kanë shkrepur me armë”, shtoi Xërxa.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Ekonomia Online ka treguar edhe se gjatë vitit që lamë pas janë shënuar 17 vrasje. Ndërsa, në 2023 janë shënuar 29 vrasje, 21 vrasje në 2022, 27 vrasje gjatë 2021, 28 vrasje gjatë 2020, 22 vrasje në 2019 dhe 2018 janë shënuar 34 vrasje.