75 Mall Live Search
12:41 / E Premte, 03 Korrik 2026 / S Z

125 persona infektohen me Norovirus në një anije turistike gjatë lundrimit drejt Alaskës

Më shumë se 120 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u infektuan me Norovirus, një virus shumë ngjitës që shkakton infeksione të stomakut dhe zorrëve, gjatë një udhëtimi 20-ditor me anije turistike nga San Francisko drejt Kanadasë dhe Alaskës.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në anijen Ruby Princess u infektuan 102 pasagjerë dhe 23 anëtarë të ekuipazhit. Anija kishte në bord gjithsej 3,032 pasagjerë dhe 1,144 punonjës, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.

Norovirusi është një nga shkaktarët më të zakonshëm të gastroenteritit dhe përhapet lehtësisht përmes ushqimit, sipërfaqeve të kontaminuara ose kontaktit të ngushtë me persona të infektuar, veçanërisht në ambiente të mbipopulluara si anijet turistike.

Simptomat përfshijnë të vjella të papritura, diarre dhe dhimbje barku, të cilat zakonisht zgjasin deri në tri ditë. Edhe pse shumica e të prekurve shërohen shpejt, infeksioni mund të jetë më i rrezikshëm për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Kompania Princess Cruises njoftoi se ekuipazhi reagoi menjëherë duke zbatuar masa të shtuara higjienike dhe dezinfektimi në të gjithë anijen. Sipas kompanisë, anija do t’i nënshtrohet një pastrimi dhe dezinfektimi të plotë përpara nisjes së udhëtimit të radhës.

CDC-ja bëri të ditur se ky është shpërthimi i shtatë i sëmundjeve infektive i raportuar këtë vit në anijet turistike nën juridiksionin e saj, ku shumica e rasteve kanë qenë të lidhura me norovirusin.

Ekspertët rekomandojnë larjen e duarve me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda, pasi dezinfektuesit me bazë alkooli nuk janë gjithmonë efektivë kundër Norovirusit.