13 Hijet e Fatma Methasanit!
Në vitin 2014 do të niste transmetimin MAD Tv, një nga televizionet e pakta shqiptare që nisi me bujë dhe me sukses rrugëtimin mediatik, në një kohë kur të gjitha mediat ishin në krizë.
Ky televizion do të sillte një frymë tjetër në Shqipëri, ashtu sikurse do të sillte një emër ndër moderatorë, e cila ishte jo vetëm e talentuar, por ndryshe nga shumëkush në ekran.
Dhe ky emër është Fatma Methasani, e cila 5 vite më pas është e vetmja që ka rezistuar në televizionin, tashmë me emër të ndryshuar, InTv. Edhe sot e 5 vite më vonë, Fatma ka ruajtur të njejtin imazh të sajin të paprekur, të njejtin stil, e si rrjedhojë edhe “titullin” si moderatorja model e të rinjve shqiptarë.
Sot, Fatma vjen në Indeksonline për të na treguar 13 hijet e saj!
- Fatma ka frikë nga hija e vet apo të tjerët kanë frikë nga hija e Fatmës?
Uaa! Nuk e nisje me ndonjë kompliment more?! (qesh) Tani… varet edhe sesi dukem në hije. Kur dukem e gjatë me pëlqen shumë hija (qesh) Përtej shakave… Unë rrethohem me nejrëz që e shohim botën së bashku me ngjyra dhe nuk merremi me hije. Mendoj se unë nuk tremb askënd… tani s’e di hahahah!
- Ti je nga ato persona, që janë mjaft socialë dhe njerëzit që të kanë pranë ndihen shumë mirë me ty. Më trego një situatë kur është zgjuar luani që fle brenda teje?
Unë jam një njeri që jam rritur duke besuar që gjërat e mira ndodhin gjithmonë kur jep dashuri! Nuk e mendoj kurrësesi jetën time ndryshe. Sigurisht, kam edhe unë minutat e mia të daljes nga orbita, si çdo njeri tjetër… por është thjesht fraksion sekonde dhe nuk zgjat. Kjo ndodh në situata normale pune kryesisht, por me një batutë apo përqafim, luani shkon dhe fle sërish hahahah!

- A arrin Alfio ta zbusë luanin brenda teje? Apo ndodh e kundërta?
Varet nga moment! Unë jam Akrepi në horoskop, kurse Alfio është Gaforre. Këtu i kemi thënë të gjitha besoj (qesh).
E vërteta është që Alfio më ka “ndryshuar” dhe më ka bërë një njeri shumë herë më të mirë!
- Duke qenë se tashmë ju të dy, domethënë ti dhe Alfio, jeni ndër personazhet më të komentuar të momentit për shkak të marrëdhënies suaj. Nga 1-10 sa je penduar që marrëdhënia juaj është bërë publike?
Oh! Aq sa nuk e dija që Alfio kishte postuar një foto tonën sëbashku për të parë në Instagram (qesh).
Siç thashë më lart, më ka ndryshuar shumë… nuk jam më ajo Fatma që i ruaja gjërat e mia private si histerike! Tani jam pjesërisht kështu! Unë madje, bëhem me shumë turp kur ka vëmendje të madhe rreth meje… prandaj dhe shkoj gjithmonë vonë në intyervista! (qesh)

- Nëse nuk do të ishe në media, çfarë profesioni do të kishe?
Unë jam një natyrë që mund të bëj 1000 gjëra njëkohësisht. Me siguri, do të isha duke bërë diçka që ka lidhje me kreativitetin. Sigurisht, edhe diçka që nuk ka të bëjë me orare fikse pune dhe rutinë!
- Je e vetmja figurë që ke mbijetuar në MAD Tv/InTv. Mendon se ka ardhur koha që të kalosh në televizione të mëdha, si Top Channel apo Klan Tv?
Hmmm! Propozimet vetëm shtohen dhe nuk e di pse! (qesh)
Jam shumë e lumtur që njerëzit më identifikojnë me MAD-in apo IN-in dhe e anasjellta. IN-i për mua është më shumë se një televizion për mua dhe unë jam më shumë se prezantuese për IN-in. Kjo e bën pak të vështirë largimin, por le të shohim…
- Kur do të vijë dita që do të hiqen atletet?
Me thënë të drejtën, kam ardhur në një pikë, ku as vetë nuk e di kur do hiqen hahah!
- Mos vallë edhe ditën e dasmës do të jesh me atlete?
Tani që po e mendoj, nuk është ide e keqe! (qesh)
Ama, unë them të mendojmë njëherë dasmën dhe pastaj çfarë do të veshim te këmbët hahahah!

- Disa zogj sollën lajmin që Fatma nuk di të kërcejë këngë popullore. Kur do të mësosh t’i kërcesh dhe këto?
Zogjtë kanë shumë të drejtë! (qesh)
Kam dëgjuar që çiftet përpara dasmës bëjnë kurse për vals e kështu përcimesh. Kurse unë, Fatma Methasani do të bëj kurse për Napolonin dhe Pogonishten!
- A do të vijë dita që Fatma do të heqë dorë nga “prezantuesja model e të rinjve| dhe të fillojë të jetë prezantuesja model e të gjithëve?
Ky po që ishte një kompliment! (qesh)
Unë mendoj që çdo gjë ka kohën e duhur. Me shumë dashuri dhe me pak inteligjencë, çdo gjë do të bëhet!
- Ka mjaft persona brenda shoëbizzit që të kritikojnë për një lloj “comfort zone” në emisionin tënd, duke qenë se formati është pakashumë i njejtë gjatë gjithë këtyre viteve dhe mungojnë të ftuarit., të cilët kanë qenë me shumicë sezonet e kaluara në MAD Day, tashmë Fun Day. Çfarë do u thojë këtyre zërave?
Më thuaj ku i ke takuar këta persona ti?! (qesh)
Mendoj që një njeri normal nuk e mendoj fare këtë gjë, sepse të bësh një format me personazhe vetëm të famshëm, është paksa e lehtë, pasi ke feedback e kështu gjërash, por jetëgjatësia e emisionit mund të jetë e vogël.
Duke pasur akses në lifestyle apo në çështje kanë një target group të caktuar dhe ky target group vazhdon të të ndjekë për 5 vite mendoj që nuk ka asnjë lidhje me zonën e komfortit.
FUN Day është kthyer tashmë si stil jetese, jo thjesht një tjetër emision shoëbizzi apo një tjetër emision rinor. Ata që e ndjekin emisionin, e ndjekin për energjinë dhe jo për të ftuarin. Ky është sukses për mua!

- Duke qenë se brenda ujërave të medias shqiptare për vite të tëra, thuaj 3 gjëra që çalojnë tek emisionet entertainment në Shqipëri?
Nuk mund të gjykoj se është çështje shijesh. Por mund të them që unë mendoj se të jesh në ekran është një shans i artë për të influencuar e për të ndryshuar jetë e mendime! Kush gjen thembrën e Akilit, do të bëjë gol! Pjesa tjetër do të jetë gjithmonë thjesht një numër.
- Bebi i parë, djalë apo vajzë?
Ore, a të më propozojë njëherë Alfio?! A ta bëjmë dasmën njëherë!? Hahaha
Këtu jemi pak në luftë ne të dy sepse unë dua vajzë, kurse Alfio do djalë! Por… avash avash! Kur të vijë koha, ti do e marrësh vesh i pari hahahah!
