13 të moshuar në izolim në Shtëpinë e të Moshuarve, në Prishtinë

Janë 13 të moshuar, të cilët po qëndrojnë në izolim në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë. Ndërkohë që deri tani janë konfirmuar rreth 50 prej tyre me koronavirusin.
Gjatë vizitës së ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani në këtë shtëpi, u tha se shumë shpejt po presin ndërtimin e shtëpisë në Suharekë, në mënyrë që të mos ngarkohet objekti ku ndodhen tani.
Tashmë sa vjet, mbi 60 persona po qëndrojnë pa përkujdesje të familjes, në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë. Gjatë kohës së pandemisë, shumë prej tyre edhe u infektuan nga pandemia COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se sot po vizitojnë ata për të parë gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e tyre.
“Synimi ynë është që të mos anashkalojmë asnjë kategori sociale në Republikën e Kosovës. Por të kujdesimi që të gjitha këto të mira materiale dhe resurse që kemi dhe potencialin që ka Ministria e Shëndetësisë t’i përkthejë në angazhim, por mbi të gjitha edhe në kujdes, qoftë edhe ai human. Sepse kjo kategori kërkon përtej punës ditore dhe angazhimit që e kemi edhe ligjor që të kujdesimi në rrethanat, të cilat po kalojmë në luftimin e pandemisë COVID-19”, ka thënë Zemaj.
Ai tha se me gjithë kushtet jo edhe shumë të mira, panë përkushtim të stafit ndaj kujdesit të banorëve për ruajtje nga COVIDI-19.
“E pamë një përkushtim të stafit, në mbikëqyrjen e tyre, trajtimin ndoshta edhe kufizimin e lëvizjes, sepse kemi të bëjmë me një kategori të moshuar dhe që kërkon edhe kujdes shtesë tjetër, duke pasur parasysh moshën dhe ndonjë sëmundje përcjellëse, që e kanë. Kushtet dhe rrethanat është kjo që ofron Shtëpia e të Moshuarve. Para pak kohësh unë kam vizituar edhe Shtëpinë e Pleqve në ndërtim e sipër që është në Suharekë, besoj që shumë shpejt do të bëhet edhe ajo funksionale. Dhe do të shohim që të racionalizojmë ata të cilët kanë nevojë që të mos ngarkojmë shtëpinë këtu”, u shpreh ai.
Aktualisht në këtë shtëpi janë 68 të moshuar, të cilët kalojnë këtë periudhë të jetës, larg familjes. Mentor Morina drejtor i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare tha se shumica e të moshuarve që kanë rezultuar pozitivë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Aktualisht kemi 13 klientë rezidentë pozitivë, janë duke u trajtuar në repartin e veçantë, i dedikuar vetëm për rezidentët të cilat janë pozitivë. Stafi është i përkushtuar, njëherësh dëshirojmë ta falënderojmë MSH-në, IKSHPK-në për testimet e vazhdueshme, sa herë që Shtëpia e të Moshuarve ka bërë kërkesë në MSH…Edhe pjesa e stafit që ka rezultuar pozitiv është ndihmuar me staf shtesë përmes Agjencisë për Punësim të Kosovës”, ka theksuar Morina.
Ministri Zemaj në këtë vizitë tha se kanë sjell edhe pajisje mbrojtëse dhe dezinfektues që t’i dalin në ndihmë kësaj kategorie.