13-vjeçari hero, noton 4 km për të shpëtuar nënën, vëllanë dhe motrën e tij
Një djalë 13-vjeçar australian notoi nëpër ujëra të trazuara ndërsa dielli po perëndonte për të shpëtuar nënën dhe dy vëllezërit e motrat e tij që ishin duke u mbytur në det.
Familja ishte duke lundruar me kajak pranë një bregu në Australinë Perëndimore të premten kur erërat e forta i nxorën jashtë kursit.
Adoleshenti filloi të lundronte drejt bregut për të njoftuar autoritetet, por kajaku i tij u mbush me ujë, kështu që ai vendosi të notonte katër kilometrat e mbetura.
‘Trimëria, forca dhe guximi i treguar nga kjo familje ishte i jashtëzakonshëm, veçanërisht i riu që notoi 4 kilometra për të njoftuar autoritetet’, tha Grupi Vullnetar i shpëtimit në det.
Komandanti i grupit madje i përshkroi përpjekjet e adoleshentit si mbinjerëzore. I riu, vlerëson ai, notoi dy orët e para i veshur me një jelek shpëtimi, por më pas e hodhi atë dhe notoi edhe dy të tjera pa të.
BBC raporton se i riu arriti të njoftonte autoritetet në orën 6 të mbrëmjes me orën lokale, të premten. Një operacion kërkim-shpëtimi filloi menjëherë për të gjetur nënën 47-vjeçare, djalin e saj tjetër, 12 vjeçar, dhe vajzën e saj, 8 vjeçare.
Të tre u gjetën rreth orës 8:30 të mbrëmjes nga një helikopter shpëtimi, të kapur pas SUP-it rreth 14 km larg bregdetit. Ata u dërguan në spital si masë paraprake dhe u larguan shpejt nga spitali.

