75 Mall Live Search
17:18 / E Mërkurë, 04 Mars 2026 / AR

13-vjet diferenca në moshë, Demi Lovato flet për lidhjen me aktorin

Demi Lovato ka shpjeguar pse sot mendon se lidhja e saj me aktorin 13 vjet më të madh, Wilmer Valderrama, e cila nisi kur ajo ishte 18 vjeçe, “nuk ishte në rregull”.

Edhe pse sot është 33 vjeçe, Lovato ka qenë prej kohësh në vëmendjen e publikut, transmeton Indeksonline.

Deri tani ka publikuar nëntë albume studio, ndërsa mediat shpesh kanë ndjekur me interes edhe marrëdhëniet e saj, mes tyre edhe lidhjen me Valderramën, i cili ishte 29 vjeç në kohën kur ata filluan të dilnin bashkë.

Lovato dhe Valderrama ishin në një lidhje për rreth gjashtë vjet dhe u ndanë në vitin 2016. Në një deklaratë të përbashkët në atë kohë, ata thanë se ndarja ishte shumë e vështirë për ta, por se kishin kuptuar që ishte më mirë të mbeteshin miq dhe të vazhdonin ta mbështesnin njëri-tjetrin.

Së fundmi, duke qenë e ftuar në podcastin This Is Keke Palmer, Lovato foli me moderatoren për lidhjet me diferencë të madhe moshe dhe për mënyrën se si situata të tilla shpesh normalizohen në rini sidomos kur dikush hyn herët në botën e showbiz-it.

Moderatorja e podcastit Keke Palmer tregoi se edhe ajo vetë, si adoleshente, ishte përfshirë në një marrëdhënie me një djalë shumë më të madh në moshë dhe se njerëzit shpesh nuk e kuptojnë me çfarë përballen realisht të rinjtë në industri. Demi Lovato u lidh me këtë duke thënë se, me kalimin e kohës, perspektiva e saj ndryshoi: vetëm kur arriti vetë në atë moshë, e kuptoi se diferenca që kishte pasur atëherë me partnerin “nuk ishte në rregull”.

Palmer e përshkroi këtë ndërgjegjësim si një lloj “thyerjeje mendore”, momenti kur kupton se ke qenë në një pozitë të pabarabartë, se nuk ke pasur të njëjtën fuqi ose se, me vetëdije apo pa vetëdije, je shfrytëzuar. Lovato shtoi se gjëra të tilla turbullohen edhe më lehtë nëse konsiderohesh “më i pjekur për moshën tënde” ose nëse të tjerët të trajtojnë si të rritur.

Ndërkohë, Wilmer Valderrama vitet e fundit është në një lidhje me Amanda Pacheco. Ata u fejuan në vitin 2020 dhe ndërkohë janë bërë prindër të dy fëmijëve./Indeksonline/