75 Mall Live Search
12:50 / E Mërkurë, 17 Shkurt 2021 / OSH

13 vjet pas pavarësisë, Kosova ende larg integrimit në strukturat e BE-së

Kosova dhe populli i saj sot shënojnë 13-vjetorin e pavarësisë. Megjithëqë është arritur që të jemi shtet në aspektin territorial, Kosova ende vazhdon të mos jetë e integruar në organizmat e Bashkimit Evropian.

Lobimi i Serbisë mosnjohja nga pesëshja evropiane, problemet e brendshme me ndërrimin e shpeshtë të Qeverive janë disa nga faktorët që po e pengojnë këtë proces.

Njohësi i rrethanave politike, Ramush Tahiri, në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se Kosova ka krijuar shtetin e saj si entitet politik që në bazament e ka ruajtjen e lirisë së popullit shqiptar e që është meritë e të gjitha gjeneratave.

Mirëpo sipas tij të arriturat e Kosovës janë modeste gjatë kësaj periudhe.

“Si shtet  Kosova ka kaluar nëpër faze të ndryshme dhe faktet janë  modestet krahasuar me shtetet e tjera nuk janë të këqija por thjesht janë modeste dhe pengesë e Kosovës si shtet i ri edhe që do të lenë pasoja, është integrimi i ngadalshëm në Bashkim Evropian sepse ky është synimi i Kosovës si subjekt ndërkombëtar”, tha Tahiri.

Sipas tij integrimi në BE, Kosovës do t’i sillte rend dhe sundim të ligjit, por edhe edhe investime të huaja. E pikërisht në këtë pikë sipas tij ka çaluar Kosova.

“Këtu Kosova ka dështu, krahasuar me krejt vendet e rajonit dhe është e çuditshme pse ka dështu, askush s’ka mujt me parapa këtë dështim të tillë”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Ai ka thënë se Kosova në planin politik ka zgjedhje, ka parti politike  por i ka mekanizmat shumë të dobëta për të sjell ndryshime rrënjësore, sepse nuk i ka reformat zgjedhore por nuk i ka as reformat tjera si shtet.  Tahiri ka theksuar se kemi mbetur të stërkequr nga ato që kanë ardh nga UNMIK-u dhe që kanë qenë kompromise vetëm për me kapërcy gjendjen.

Siç ka thënë Tahiri tani është koha që Kosova të jetë “agresive” rreth integrimeve evropiane.

“Kosova duhet të jetë agresive në kuptimin pozitiv rreth integrimeve evropiane dhe jo vetëm të marrë detyra dhe të presë, sepse kështu humbet besimi në shtetin e Kosovës”, ka nënvizuar ai. /IndeksOnline/