75 Mall Live Search
11:49 / E Hënë, 08 Mars 2021 / OSH

14 Marsi 2021 i LDK-së

Prof.Dr. Azem HAJDARI

LDK-ja më 14 mars mban Kuvendin për zgjedhjen e Kryetarit të ri të saj. Kjo datë e ka dhe duhet ta ketë kuptimin e një dite të veçantë, përkatësisht të një dite solemne. Dita e zgjedhjes së Kryetarit gjithherë ka qenë e tillë, dhe e tillë e nuk ka ndryshe si të jetë edhe tani.

Ambiciet individuale të shprehura dhe të pashprehura deri tani, por që mund të shprehen edhe ditëve të ardhshme, për këtë pozitë janë plotësisht normale e legjitime.

Rëndësia e zgjedhjes së udhëheqësit të ri sigurisht se ka rëndësi kruciale për nevojën që ndihet, sidomos në anëtarësinë e LDK-së për rritën e saj. Përballë kësaj nevoje qytetare është përgjegjësi e delegatëve të Kuvendit që ti japin LDK-së një Kryetar të pranueshëm për elektoratin e saj, një Kryetar që i posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta sjellë këtë organizatë politike në piedestalin e merituar të saj, aty ku ishte nën udhëheqjen e Kryetarit Historik të saj Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari i ri i zgjedhur, cilido qoftë ai, do të ketë për sipër një barrë të rëndë, në një kohë të rëndë në të cilën ndodhet LDK. Andaj, Kryetari i zgjedhur duhet të krijoj një ekip (Kryesi) që do të miratohej nga Këshilli i Përgjithshëm me përfaqësim shumë të dinjitetëshëm, me personalitete të ndritura në fushën e shkencës e kulturës, profesionistë të dëshmuar, aktivistë të rryer, personalitete që gëzojnë autoritet në qytetari.

Një ekip i tillë duhet të përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme gjeografinë e vendit tonë të bukur e të shtrenjtë. Një përzgjedhje e tillë është garanci e vetme që LDK të arrijë në misionin e saj aktual dhe të ardhshëm, ri-ngritjen për vetën e saj, dhe ri-ngritjen për ndërtimin e Kosovës tonë të dashur. Është plotësisht  e pritshme që delegatët e Kuvendit të LDK-së, duke ditur mirë këtë fakt, të reflektojnë konform interesave më të mira të LDK-së dhe të Kosovës.