75 Mall Live Search
17:18 / E Mërkurë, 06 Nëntor 2019 / indeksADMonline

14 vite pas krimit, dënohet me 20 vjet burg kosovari 62 vjeçar

Si rrethanë rënduese me rastin e shqiptimit të dënimit ka vepruar fakti se i akuzuari ka pasur një qasje “veçanërisht mizore” dhe se vrasjen e ka bërë në praninë e fëmijëve.

Gjykata e Landit në St. Polten të Austrisë i ka shqiptuar dënimin me 20 vjet heqje lirie shqiptarit 62 vjeçar nga Kosova për vrasjen e të shoqes. Vrajsa me thikë kishte ndodhur para më shumë se 14 vitesh.

Gjyqtarët porotë kanë vendosur njëzëri për masën e përmednur të dënimit ndërsa avokati i dorasit ka paralajmëruar ankesë. Ndërkaq, prokurori nuk ka dhënë ndonjë sqarim nga ana e tij, shkruan agjencia austriake e lajmeve ATA.

Në këto rrethana, gjykimi nuk është i plotfuqishëm.

Si rrethanë rënduese me rastin e shqiptimit të dënimit ka vepruar fakti se i akuzuari ka pasur një qasje “veçanërisht mizore” dhe se vrasjen e ka bërë në praninë e fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

Kosovari, sot në moshën 62-vjeçare, kishte vrarë në Wilhelmsburg të Austrisë bashkëshorten e tij duke e goditur me thikë. Pas vrasjes ai kishte ikur në Kosovë, ku ishte dënuar me 7 vjet heqje lirie. Së fundi ai është kapur gjatë një udhëtimi në Shqipëri dhe është ekstraduar në Austri, ku dhe është gjykuar për vrasje

Vrasja kishte ndodhur më 6 qershor 2005 në banesën e përbashkët të çiftit. Ai ishte 47, ndërsa e shoqja 36-vjeçare. Dorasi e kishte vrarë bashkëshorten me një goditje me një thikë kuzhine, me teh të gjatë 20 centimetra. Pas aktit, ai kishte ikur së bashku me katër fëmijët e tij në Kosovë, ku i është dorëzuar policisë së Unmikut, transmeton albinfo.ch. Më tutje, Kosova ka shmangur ekstradimin e tij në Austri, thonë në prokurorinë e St.Pöltenit.

Gjatë procesit gjyqësor në Kosovë, i akuzuari kishte deklaruar se vrasjen e kishte kryer në vetëmbrojtje. Por ky deklarim i tij nuk përputhet me gjurmët e gjetura në vendin e krimit, thuhet në një deklaratë të Gjykatës së Landit në St. Pölten.

Prokuroria e St.Pöltenit kishte shpallur një fletarrest në nivel evropian për dorasin. Mbi bazë të këtij fletarresti u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri dhe dorëzimi në Austri.