75 Mall Live Search
11:06 / E Hënë, 22 Korrik 2024 / L K

14 vjet nga vendimi i GJND-së, Haradinaj: Partneriteti me aleatët veçmas me SHBA-në, jetike për synimet tona si shtet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit. 

Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e përvjetorit të vendimit të GJND-së.

“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 u konfirmua nga GJND-ja, më 22 korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me SHBA-në.

“Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet. Zoti e bekoftë Kosovën!”, është shprehur Haradinaj.