75 Mall Live Search
22:26 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / H F

14 vjet pas rënies së tij, lapidari i Enver Zymerit dështon të realizohet për këtë arsye (Dokument)

Për Enver Zymerin, pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që ra në krye të detyrës më 25 korrik 2011, ishte paraparë ndërtimi i një lapidari përkujtimor në kampin policor që mban emrin e tij.

Megjithatë, i njëjti nuk është arritur të finalizohet me kontratë, shkruan IndeksOnline.

Sipas dokumentacionit zyrtar, vetëm një kompani kishte aplikuar, por e njejta nuk i ka plotësuar kriteret ligjore të kërkuara. Në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik, aktiviteti i prokurimit është ndërprerë.

“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit në mungesë të një oferte të përgjegjshme,” thuhet në arsyetim.

Kjo ndodh vetëm pak javë pasi më 25 korrik 2025 u shënua 14-vjetori i rënies së Enver Zymerit, i cili u vra nga strukturat ilegale serbe gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri, për të vendosur kontroll në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lapidari i planifikuar synonte të nderonte përjetësisht kujtimin dhe kontributin e tij për shtetin dhe rendin kushtetues të Kosovës. Megjithatë, anulimi i tenderit e shtyn edhe më tej realizimin e këtij projekti simbolik për Policinë dhe për gjithë vendin.