20:55 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

140 shqiptarë të ngujuar në kampin e Al-Hol në Siri, presin fatin e Alvinit

Alvin Berisha ishte një prej rasteve me “fund të lumtur”. Zhurma mediatike në Shqipëri dhe Itali bëri që ai të kthehet në familje, pavarësisht problemeve që do e shoqërojnë atë qoftë edhe për pak kohë. Janë probleme që lidhen me gjuhën, por edhe shëndetin, sepse është plagosur dhe plagët, sipas babait të tij Afrimit janë të rënda.

Gjithsesi, atje ka ende shumë shqiptarë që janë në ankthin e kthimit në atdhe. Autoritetet shqiptare ndonëse nuk japin një shifër të saktë paraprakisht deklarojnë se janë pak më shumë se 140 shqiptarë në total që kanë shkuar në Siri. Të paktën 29 prej tyre, sipas informacioneve rezultojnë të jenë vrarë në frontin e luftës, ndërsa të tjerët presin të kthehen në Shqipëri.

Ndërkohë, 85 fëmijë që kanë lindur në Siri nga gra me shtetësi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në kampin Al-Hol drejtuar nga Kurdët dhe ata nuk konsiderohen si shtetas shqiptarë, ndaj nuk llogariten në shifrën e përgjithshme të atyre që presin riatdhesimin.

Lavdrim Muhaxheri, një luftëtar i njohur i Shtetit Islamik nga Kosova i cili e deklaroi veten si komandant i shqiptarëve që luftonin për grupin militant në Siri dhe Irak, u shpall i vdekur në 2017-ën.

Dy vjet më vonë, fëmijët e tij në Siri fryt i marrëdhënies me një grua shqiptare nga Tirana po jetojnë në një kamp të drejtuar nga kurdët. Të dy fëmijët janë në mesin e të paktën 85 fëmijëve në kampin “Al Hol” të grave me etni nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kampi Al Hol është ngritur në disa tenda në provincën siriane të El-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, aktualisht në të janë rreth 73 mijë njerëz. Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 për qind e njerëzve në kamp janë fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe rreth 27 për qind janë gra. Refugjatët e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët irakianë përbëjnë shumicën, por rreth 15 për qind janë të ashtuquajturat shtetas të vendeve të treta.

Kush është kampi “Al-Hol” në Siri

Kampi Al-Hol është një vend i dëshpëruar, i pistë, i mbipopulluar dhe i mbushur me njerëz që askush në botë nuk dëshiron. Ky kamp në Sirinë lindore tani është shtëpia e familjeve të të ashtuquajturit Shtet Islamik – të sapombërritura nga Kalifati. Është përtej kapacitetit dhe përpiqet të merret me mijëra mbërritje ndërkohë që askush nuk ikën prej andej.

Qeveri të ndryshme mendojnë se për to përbën problem fakti se çfarë të bëjnë me këta njerëz, por kjo nuk është asgjë në krahasim me krizën me të cilën përballen ata që janë të detyruar të marrin përgjegjësinë për ta. Kushton një milion dollarë në ditë vetëm ushqimi dhe asnjë ndihmë serioze nuk vjen nga jashtë.

Ka pak ushqim, ngrohje apo kujdes shëndetësor, por ka shumë zemërim dhe dëshpërim. Ruajtja e sigurisë është një sfidë në rritje kur ka ndodhur të paktën një vrasje dhe ka shumë zënka e sherre. Në këtë tokë të dëshpëruar të askujt, disa e ruajnë strukturën e Kalifatit e disa synojnë ta shkatërrojnë atë.