10:55 / E Diele, 23 Janar 2022 / Medina Shala

“Nëse do të kishim investuar 1 dollar para 12 vitesh në Bitcoin, sot do të kishim rreth 3,4 milionë dollarë”

Investimi në kriptomonedha po shihet me interes nga shumë shqiptarë, për shkak të fitimit të madh e të menjëhershëm që gjenerohet, pavarësisht riskut shumë të lartë që ato përfaqësojnë.

Në Business News në A2, Denisa Kele, eksperte për kriptovalutat, u shpreh se sot shqiptarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm dhe për këtë arsye duhet të bëjnë kujdes.

“Investimet e fundit janë të një shtrese mesatare. Ndoshta sa gjysma e rrogës mesatare që është në Shqipëri, nis me këtë lloj shume. Diku te 150 mijë lekë të vjetra. Personat që hapin që hapin portofolet nuk kanë informacione. Në fillim është më shumë çështje kurioziteti. Mendojnë se ndoshta është një moment që mund të fitojnë para lehtë. Unë e them që në fillim të mos investojnë shuma të mëdha kur nuk kanë informacionin përkatës”.

Më tej, ajo mori një shembull për të treguar se sa do të kishim fituar në Bitcoin nëse do të kishim investuar 1 dollar 12 vite më parë.

“Nëse do të shikojmë pak grafikun e viteve të fundit, Bitcoin është një nga asetet që ka pasur rritje të madhe në krahasim me të gjitha asetet e tjera. Të bëjmë një krahasim me floririn. Nëse do të kishim investuar 1 dollar në flori para 12 vitesh, sot do të kishim 1,6 dollarë. Nëse do të kishim investuar 1 dollar para 12 vitesh në Bitcoin, sot do të kishim rreth 3,4 milionë dollarë”, tha Denisa Kele.