75 Mall Live Search
11:57 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / L K

15 muaj burgim ndaj “Rusit”, i akuzuar për sulm ndaj pjesëtareve të KFOR-it në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të akuzuarin Nenad Orloviq me 15 muaj burgim dhe 12.000 euro gjobë.

Shtetasi kosovar me kombësi serbe Orloviq i njohur me nofkën “Rusi” u dënua për veprat penale pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale e huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Ndërkohë, vendimi do të bëhet i zbatueshëm meqë vjen si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ai është në paraburgim prej 26 qershorit të vitit të kaluar.

Aktakuza thotë se ai ka përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024 thuhet se i akuzuari Orloviq më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kane qenë në detyre zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtare, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.