75 Mall Live Search
14:30 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

15 nëpunës, mund të angazhohen në zyrën e kryeministrit Kurti

15 nëpunës mund të punësohen në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti. Kjo është paraparë me rregulloren e re të punës, e cila është nënshkruar nga kryeministri, një javë më parë.

Përveç 15 nga nëpunësit që mund të angazhohen në zyrën e Kurtit edhe 12 të tjerë mund të punësohen në zyrat e zv.kryeministrit Avdullah Hoti dhe Haki Abazi.

Numri i nëpunësve është pothuajse i njëjtë me të Qeverisë së kaluar, porse vërehet një rritje të nëpunësve që do të angazhohen në zyrën e zv.kryeministrit, raporton IndeksOnline.

Në qeverinë “Haradinaj”, zv.kryeministri ka pasur mundësi të angazhonte deri në katër nëpunës, ndërsa me rregulloren e re të Kurtit, zv.kryeministri mund të angazhojë deri në gjashtë nëpunës.

Neni 29 i rregullores se re për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive thotë se nëpunësit në kabinete janë kategori e veçantë e zyrtarëve publikë, të cilët ofrojnë mbështetje administrative teknike.

“Numri i nëpunësve në kabinete është si në vijim: Kryeministri mund të emërojë deri në pesëmbëdhjetë (15) nëpunës në kabinet, zëvendëskryeministri mund të emërojë deri në gjashtë (6) nëpunës në kabinet, ministri mund të emërojë deri në katër nëpunës në kabinet dhe zëvendësministri mund të emërojë deri në dy (2) nëpunës në kabinet”, thuhet në rregulloren e re.

Nëpunësit në kabinet të kryeministrit, zëvendëskryeministrave, dhe ministrave nuk janë nëpunës civilë dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre nëse kjo marrëdhënie e punës nuk ndërpritet më herët.

IndeksOnline këtë javë ka raportuar edhe për numrin e këshilltarëve që do të angazhohen në kryeministri. Sipas rregullores së re, Kurti mund të ketë deri në 34 këshilltarë, ndërsa dy zëvendësit e tij, Hoti e Abazi, bashkë mund të kenë deri në 30 këshilltarë./IndeksOnline/