19:58 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

15 produktet shqiptare më të kërkuara për eksport

Ministria shqiptare e Bujqësisë ka bërë një analizë të thelluar të tregut për produktet potenciale bujqësore të prodhuara në vend, që janë më të kërkuarat në tregjet e huaja, me qëllim subvencionimin për rritjen dhe prodhimit të tyre.

Zëvendës ministri i Bujqësisë, Ilirian Halilaj tha për ATSH-në, se janë 15 produkte, kryesisht arroret, frutoret, perimet në sera, bimët mjekësore, që kanë avantazhe krahasuese më të larta për tregjet e huaja.

Ai theksoi se i kanë përfshirë këto produkte në skemat e mbështetjes kombëtare, dhe i kanë orientuar fermerët që të aplikojnë për shtimin e mbjelljeve të këtyre prodhimeve.

Halilaj shpjegon se aplikimet për subvencione në mbjellat e reja në bujqësi kanë përfunduar, ndërsa po vazhdojnë aplikimet për investime në sektorin rural. Por sipas tij, brenda këtyre 15 produkteve të zgjedhur, që ju janë vënë fermerëve për subvencion aplikimet kanë qenë të shumta dhe interesi më i madh është orientuar për kultivimin e mollëve, arrave, lajthi, gështenjë, ullinj, bimë medicinale, të cilat janë edhe më të kërkuarat në tregje.

“Politikat e qeverisë dhe fokusi ynë është tek ato produkte që kanë krijuar tashmë rrugën e sigurt të shitjes në treg dhe vazhdojnë të kërkohen nga tregje të reja të huaja, duke u shndërruar kështu në produkte me vlerë ekonomike për fermerin dhe ekonominë e vendit. Po punojmë fort në informimin e mbështetjen e fermerëve për kërkesë- ofertën e tregut bujqësor”, deklaroi Halilaj.