156 raste, 3 viktima dhe 158 të shëruar në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 156 raste pozitivë me COVID-19.
Gentiana Qirjako, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik, tha se “sot është dita me numrin më të lartë të të shëruarve, duke kapërcyer edhe numrin e rasteve të reja ditore.
158 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID-19, ndërsa 156 qytetarë rezultojnë të prekur nga virusi SARS COV2 në 24 orët e fundit.
Në të gjithë vendin janë kryer 865 testime. Rastet e konfirmuar pozitivë me COVID-19, i përkasin kësaj shpërndarje gjeografike në vend: 101 raste në Tiranë, 12 raste në Durrës, 5 raste në Librazhd, nga 4 raste në Fier, Korçë, Berat, 3 raste në Elbasan, Tropojë, Kamëz, nga 2 raste në Krujë, Kukës, Ura Vajgurore, Peqin, Gramsh, nga 1 rast në Shkodër, Lushnjë, Mirditë, Dibër, Bulqizë, Himare, Kuçovë.
Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 168 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 42 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 56-vjeçar, një 65-vjeçare nga Tirana dhe një 79-vjeçare nga Kuçova me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve”, u shpreh Qirjako.