18:02 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

#15VjetDigitalb: Çfarë ndodhi mbrëmë në koncertin e vitit!

Platforma e parë dhe më e madhe dixhitale në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqqiptare, Digitalb festoi fundjavën që sapo lamë pas 15 vjetorin e krijimit të saj.

Një festë 3 ditore ndezi kryeqytetin shqiptare me lojëra, surpriza, argëtim dhe që u kulmua me koncertin e vitit të organizuar në Tiranë që do të bënte bashkë emrat  më IN të momentit.

Koncerti do të niste zyrtarisht në orën 19:00 ku Iljardi dhe violinçeli i tij i famshëm do të startonte mbrëmjen maratontë.

Luana dhe Faydee debutuan mënjeherë pas instrumentistit  bashkëpunimin e tyre “Yalla Habibi” duke ekzaltuar mijëra qytetarë që tashmë ishin grumbulluar në sheshin Skënderbejn.

Pas dyshes së njohur, Soni Malaj dhe balerinët e saj do të dhuronin nje performancë me disa prej hiteve më të pëlqyera të këngëtares. Për të mbështetur Sonin, Agon Amiga dhe Daim Lala u ngjitën në skenë duke performuar këngën e tyre më të re, “Ta Fala”.

E kur performancat fillojnë të ndizen, stafeta duhet të vazhdojë tek dikush që di ta mbajë zjarrin e ndezur.

Young Zerka u ngjit menjëherë në skenë për të sjellë ritmet dancehall dhe disa prej këngëve të tij më të mira. I veshur me të bardha dhe me flokë të stiluara siç i ka hije një “xhamajkjani të konvertuar” Zerka do të dhuronte një performancë që ata, të cilët e ndoqën nga sheshi nuk do ta harrojnë lehtë.

Pas Young Zerkës do të vinte Vedat Ademi, i cili do të na kthente pas në kohë me disa prej këngëve të tij si “Për Ty” apo krijimeve të reja si “Nuk kam faj”.

Vedati kishte rezervuar edhe një surprizë për të gjithë publikun shqiptar në shesh, duke marrë edhe të birin, Jon Artin, në skenë për të kënduar së bashku.

Dhe nëse pas Vedatit, ndjekësit e koncertit ishin ulur duke kënduar me sa kishin fuqi baladat e tij, Ronela Hajati do t’i çonte në këmbë dhe t’i bënte të vuanin dhe të kërcenin si askund tjetër.

Këngëtarja elektrizoi turmat e njerëzve me “Vuj”, “Pa Dashni” dhe sidomos me hitin e saj të fundit, “Lage” duke krijuar një atmosferë të nxehtë që zor se do të fikej më pas.

Pasi u ndezën, vuajtën dhe u lagën, publiku do të dëgjonte disa nota rock-u nga Jericho, të cilët do të vazhdonin të mbanin atmosferën për të mirëpritur këngëtarët e rradhës në skenë.

Kida do të ngjitej menjëherë në skenë, e pasuar nga turma që thërriste emrin e saj, thirrje që më pas do të kalonin nga emri “Kida” në këngët e saj si “Kce”, “Tela”, “Mas” apo “Mi Amore”.

Këngëtarja bukuroshë dhe mjaft e talentuar nga Kosova do të përfundonte performancën e saj nën shpërthimin e fishekzjarreve dhe menjëherë stafetën do ta merrte Alban Skënderaj.

Albani na dha dhe njëherë një copëz nga ajo që patëm mundësinë (dhe fatin) të përjetojmë gjatë “Hapësira e një ëndrre” në Tiranë para dy vitesh dhe në Prishtinë para pak muajsh.

Nga baladat apo këngët romantike, sheshi “Skënderbej” do të ndryshonte menjëherë ngjyrë sepse tashmë do të ishte rradha e Taynas.

E ku është Tayna ka ritëm, ka rap dhe ka atmosferë të ndezur.

Hitet e reperes, të thyera edhe me pak ritme të Dj Snake do të pasoheshin nga askush tjetër përveç “Zotit” të zemrave të thyera… Yll Limanit.

As më pak e as më shumë se ajo ç’ka Ylli bën dhe di të bëjë më mirë, publiku pati mundësinë të kërcëje dhe në të njejtën kohë të këndojë me gjithë zërin e tij hitet e artistit të ri, por fort të talentuar.

“Lemon Star”-i (siç thërritet në rrethin e afërt) u pasua nga dyshja fantastike, PINT, të cilët na dhanë rep të mirë, muzikë të mirë dhe spektakël për sy e për zemër.

Kresha dhe Lyrical Son-i do të këndonin, përveç hiteve të tyre ndër vite dhe këngë nga albumi i tyre i fundit – që publiku i dinte fjalë… për… fjalë!

Pas një dyshjeje ikonike siç janë PINT, skena do të mirëpriste një artistë të rrallë që ndoshta nuk i vjen më këtij vendi: Aurela Gaçe.

Aurela do ta niste performancën e saj me një himn të sajin, që është një thirrje e fortë zemre për kohët që ne si komb po jetojmë.

Një kombinim mes “Tranzit” dhe “Jakup Ferri” do të vinte fillimisht nga origjinalja Aurela Gaçe, për t’u pasuar më pas me këngë që, jo vetëm brezat e mëdhenj ia dinë përmendësh, por edhe brezat e rinj, si “Cimica”. “Fustani” apo “Origjinale”, “Ja ke nge” do të ishin disa prej këngëve që Gaçe solli mbrëmë në shesh.

[Po Aurelë, do të mbahesh mend gjithmonë si… ajo, origjinalja!]

Pas Aurelës, një pasardhëse e denja e gjurmëve të saj do të vinte në skenë: Elvana Gjata.

E veshur si një dive skene, me të bardha dhe me një performancë që jua sigurojmë, i shohim vetëm në MTV, Elvana solli disa prej hiteve të saj të reja e të vjetra si “Fustani”, “Lejla”, “Ku vajti”, “Njësoj”, “Kuq e zi” dhe… “Tavolina e mërzisë”. Dhe po… u kallëm! Faleminderit!

E kush më mirë se ai mund të përmbyllte një superspektakël si ky?

Teksa Elvana përformonte “Mike”, në skenë do të ngjitej Ledri Vula, i cili do të sillte hitet e tij shoqëruar me euforinë e mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh (dhe ata që shihnin nga dritaret).

“Kiss Kiss”, “MEM”, “U harrum”, “Rio”, “Tavolina”, “Merri Merri”, “Kings”, “SRMN” dhe “Nona” do të ishin këngët e fundit që performoheshin në koncertin e #15VjetoritTëDigitalb duke mbyllur kështu edhe maratonën e gjatë të festimeve.

Ja vlen për t’u theksuar që një koncert i tillë, i këtyre përmasave është diçka jo e re për familjen e Top Medias, të cilët gjithmonë kanë ditur të sjellin risi dhe të bëjnë bashkë shqiptarët në një festë të vërtetë.

Produksioni, skena, efektet piroteknike, ndriçimi, transmetimi LIVE, mbulimi mediatik, PR dhe e gjithë pjesa tjetër e organizimit ja vlen për t’u përgëzuar!

Endrra e të ndjerit, Dritan Hoxha, për të qenë të parët dhe për t’i bërë shqiptarët bashkë, kudo ku ata ndodhen vazhdon akoma të jetojë e të kalojë nëpërmjet familjes së tij tek të gjithë shqiptarët.

Gëzuar Digitalb dhe gëzuar shqiptarë!

*Le të kryqëzojmë gishtat që performancat të publikohen online që të kemi mundësinë t’i rishohim të gjithë./Indeksonline/