168 mijë kërkesa për bileta, por vetëm 10 mijë ishte kapaciteti
Kosova dje zhvilloi ndeshjen më të rëndësishme që prej pranimit në UEFA dhe FIFA.
Në Prishtinë, në stadiumin, ”Fadil Vokrri”, Përfaqësuesja kosovare ishte nikoqir i Azerbajxhanit.
Në ndeshjenn e vlefshme për Ligën D3 të Ligës së Kombeve, Kosova arriti t’i mposhtë azerët me rezultat bindës, 4-0, shkruan IndeksOnline.
Natyrisht, interesimi para ndeshjes për të qenë në stadium ishte jashtëzakonisht i madh duke u bazuar në rëndësinë e kësaj ndeshje.
Për herë të parë, Federata e Futbollit të Kosovës ia doli që t’i shesë biletat në sistemin online.
Ani pse kishte ngecje teknike në fillim, ky operacion përfundoi me sukses, ku mbi 10 mijë tifozë u pajisën me bileta përmes këtij sistemi.
Por, sa ishte numri i të interesuarve për blerjen e biletave në sistemin online?
Burime të IndeksOnline brenda FFK-së bëjnë me dije se kishte 56 mijë persona të interesuar për të blerë bileta.
Te të gjithë prej këtyre 56 mijë njerëzve të interesuar, ishte paraqitur kërkesa për blerjen e tri biletave – aq sa edhe ishte e lejuar.
Pra, në total, kishte të interesuar për 168 mijë bileta, ani pse në fund u shitën vetëm mbi 10 mijë sosh./IndeksOnline/