08:31 / E Premte, 17 Maj 2019 / indeksADMonline

18 serbë u paguan nga shteti pa shkuar fare në punë

18 punëtorë të komunitetit serb që kanë qenë të punësuar në zyrën e quajtur ‘mbrojtja civile’ në veriun e Mitrovicës janë paguar për një vit në shumën prej 92 mijë e 336 euro nga buxheti shtetit ani pse nuk kanë shkuar në punë.

Sipas vendimit të qeverisë të datës 22 korrik të vitit 2015 të bazuar në marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e zyrës ‘mbrojtja civile’ në veri të Mitrovicës,  Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka qenë e obliguar t’i sistemoj 18 punëtorët e komunitetit serb me qëllim të integrimit në sistemin e Republikës së Kosovës, transmeton Indeksonline.

Ata ishin caktuar në departamentin për integrime evropiane si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal, transmeton Indeksonline.

Mirëpo, ZKA ka vërejtur se të njëjtit punonjës gjatë vitit 2018 nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk i kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë.

Por, të ata janë paguar 92 mijë e 336 euro nga buxheti i shtetit.

“Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE. Këta punonjës, gjatë vitit 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar 92,336€”, thuhet në raportin e ZKA-së për MZHE-në, transmeton Indeksonline.

Sipas ZKA-së, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e punëtorëve dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të ministrisë për t’i angazhuar.

ZKA në raportin e tyre ka theksuar se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ndër rekomandimet e zyrës së auditimit, është se ministri duhet që të shqyrtoj arsyet e mosvijimit në punë të këtyre punëtorëve, të zgjidhë problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë, ose në të kundërtën, të ndërpres pagesat e pagave të tyre të parregullta.

Sipas ZKA-së, për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresoj edhe në Qeveri./Indeksonline/