09:40 / E Premte, 10 Korrik 2020

Dënohet me 18 vjet burgim një shqiptar në Austri, ai qëlloi për vdekje një boshnjak

Një shqiptar 32-vjeçar është dënuar me 18 vjet burgim në Salzburg të Austrisë, pasi kishte qëlluar për vdekje me armë vitin e kaluar, një boshnjak..

Ngjarja ndodhi më 4 qershor të vitit 2019, ku shqiptari kishte qëlluar me armën “Glock 17” një boshnjak 46-vjeçar dhe të birin e tij 25-vjeçar. 46-vjeçari, që ishte qëlluar në gjoks, kishte vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa 25-vjeçari kishte marrë plagë në kofshë.

Po ashtu në mesin e të akuzuarve është edhe një shqiptar tjetër 35-vjeçar, pasi sipas prokurorisë ai ia kishte dhënë pistoletën 32-vjeçarit, me të cilën u krye vrasje.

Është njoftuar se dy boshnjakët ishin në Cafe-Bar për të festuar. Sipas prokurorisë ndodhi një zënkë midis shqiptarëve dhe boshnjakut 25-vjeçar. Shqiptari 32-vjeçar i akuzuar për vrasje e goditi 25-vjeçarin. Më pas erdhi babai i boshnjakut, e në atë moment eskaloi situata ku shqiptari 32-vjeçar qëlloi me armën që e mori nga shoku i tij.

Derisa shqiptari 32-vjeçar është dënuar me burgim 18 vjet, shqiptari tjetër, që ia kishte dhënë armën, është liruar nga akuzat për pjesëmarrje në vrasje, ndërsa është dënuar me nëntë muaj burgim me kusht, për armëmbajtje pa leje. Vendimi ende nuk është i plotëfuqishëm. E veja e të vrarit është thënë se duhet të dëmshpërblehet me 40 mijë euro, ndërsa i biri me 43 mijë euro.