15:03 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

180 km larg Kinës, vetëm 5 viktima dhe 376 raste/ Suksesi aziatik, efikasitet kundër koronavirusit

Ndërsa pandemia e koronavirusit ka vënë në jetë izolime në të gjithë globin, jeta ka vijuar thuajse pa ndryshime në vende si Tajvani, Koreja e jugut dhe Hong Kongu pasi qeveritë e tyre dhe qytetarët, ndërmorën masa të hershme për të vënë nën kontroll krizën.

Në shikim të parë, Tajvani duket një kandidat ideal për koronavirusin. Ishulli me 23 milionë banorë është vetëm 180 km larg Kinës. Por kur kanë kaluar 100 ditë, Tajvani ka vetëm 376 raste të konfirmuara dhe pesë viktima ndërsa restorantet, baret, shkollat, universitetet dhe zyrat mbeten të hapura.

Qeveria e presidentit Tsai Ing Wen, zëvendësi i të cilit është një epidemiolog, ka marrë vendime të ashpra ndërsa kriza ishte në hapat e para të saj për të kursyer dhimbjen që tani ka mbërthyer pjesën tjetër të botës. Ashtu sikurse antitrupat, që formohen për të luftuar infeksionin e radhës, përgjigjia e Tajvanit u ravijëzua në një epidemi të mëparshme, Sarsin, në 2003. Këtë radhë, vendi ishte i gatshëm. Që para se Wuhani të vihej në karantinë, Tajvani aktivizoi komandën e menaxhimit të epidemisë, që filloi të skanonte të ardhurit, nisi testimet masive dhe gjurmoi rastet. Menjëherë mbylli udhëtimet nga kina, partneri më i madh tregtar i tij, edhe kur OBSH këshillonte që kjo të mos bëhej. Plot 124 veprime të hershme të kësaj komande u bënë në një kohë kur pjesa tjetër e botës as nuk e imagjinonte mundësinë e një pandemie. Ndërsa Koreja e Jugut, ka ndjekur një tjetër strategji.

Vendi ia doli që të sheshonte kurvën e infektimeve pavarësisht një shpërthimi të madh. Por vetëm pas gjashtë javësh, rastet nisën të zeroheshin. Njerëzit ndërkohë janë adaptuar me masat e distancimit social, jo të detyrueshme. Ekspertët thonë se testimi masiv si edhe disa faktorë të tjerë, mes të cilëve gjurmimi i kontakteve dhe karantina për të gjithë pacientët e prekur, kanë dhënë efekte. Suksese të ngjashme janë parë edhe në Hong Kong dhe Singapor, pavarësisht fillimeve të errëta të epidemisë atje.