19 rekomandime nga BE-ja, për zgjedhjet e 9 shkurtit: Nevojitet vullnet i vërtetë politik për të forcuar institucionet demokratike

Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM) publikoi sot raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Shefja e Misionit, Nathalie Loiseau, tha se këto zgjedhje ishin konkurruese dhe të mbajtura sipas një kornize të re ligjore të hartuar për të forcuar transparencën dhe besimin.
“Megjithatë, procesi nxori në pah gjithashtu sfida të rëndësishme organizative, diskurs politik të polarizuar dhe fusha ku reformat janë ende të nevojshme”, u shpreh Loiseau.
Në raportin e tyre përfundimtar, EU EOM thekson se, përderisa dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë dhe fushata dinamike, procesi vuajti nga përgatitja e pamjaftueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vonesat në nxjerrjen e rezultateve dhe politizimin e institucioneve kryesore.
Në raport theksohet se Komisioni i Pavarur i Medias (KPM) dështoi të sanksiononte shkeljet në media.
“Përderisa peizazhi mediatik mbetet i larmishëm, ka ndarje të thella etnike, dhe u bënë vetëm përpjekje të kufizuara për të nxitur dialog ndërmjet komuniteteve. Disa media private treguan shenja politizimi. Gjithashtu vazhdojnë të mbeten shqetësimet në lidhje me sfidat me të cilat përballet transmetuesi publik” deklaron BE-ja.
Shefja e Misionit, Loiseau, theksoi: “Rekomandimet janë udhërrëfyes për forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë. Ekziston nevoja për vullnet të vërtetë politik dhe dialog kuptimplotë nga të gjithë akterët zgjedhorë për t’i zbatuar ato me sukses. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në këtë proces.”
Edhe pse korniza ligjore ofron bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, zbatimi i saj nxori në pah paqartësi që kërkojnë sqarime legjislative. Ligji i ri zgjedhor prezantoi reforma të mirëpritura, mirëpo efektiviteti i tij u minua nga mungesa e përgatitjes dhe mangësitë operative.
Raporti përfundimtar ofron 19 rekomandime, duke përfshirë gjashtë rekomandime prioritare të cilat synojnë forcimin e proceseve zgjedhore të Kosovës. Ato janë:
- Të forcohen garancitë ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve zgjedhorë, për të siguruar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore.
- Të kufizohen dhe specifikohen më tej përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sekretariatit të KQZ-së dhe komisioneve komunale zgjedhore për të decentralizuar vendimmarrjen e administratës zgjedhore aty ku është e përshtatshme dhe për të siguruar që operacionet e saj të jenë efikase dhe me kohë.
- Të bëhet një auditim gjithëpërfshirës i pavarur i listës së votuesve, duke përfshirë përmes analizës së brendshme të proceseve të regjistrimit dhe testimit statistikor dhe në terren, në konsultim me palët përkatëse të interesit për të adresuar shqetësimet mbi saktësinë e tyre dhe për të rritur besimin e publikut.
- Të prezantohen përkufizime të qarta ligjore të termave kyç, përfshirë ato që lidhen me gjuhën nxitëse dhe përkufizimin e një ‘mbështetësi të subjektit politik’ brenda procesit zgjedhor. Të vendosen kritere të qarta për përcaktimin e gjobave proporcionale të zbatueshme për shkeljet e Kodit të Mirësjelljes nga subjektet politike.
- Të emërohen me kohë të gjithë anëtarët e KPM-së përmes një procesi përzgjedhës konkurrues dhe transparent.
- Të krijohet një sistem i besueshëm dhe transparent i menaxhimit të rezultateve me procedura të qarta dhe të verifikueshme për të siguruar përpunimin e saktë të të dhënave të rezultateve. Të sigurohet qasje e shpejtë në rezultatet preliminare, duke përfshirë të gjitha të dhënat përkatëse, si p.sh. pjesëmarrja e votuesve, votat e vlefshme dhe të pavlefshme, si dhe formularët e rezultateve të skanuara për vendvotim.